Ditë mjaft e rëndësishme në klubin e Interit, që ka zyrtarizuar marrëveshjen me “Socios.com” një kompani që operon në fushën e monedhave virtuale dhe që do të jetë sponsori kryesor i fanellës zikaltër.

Kompania e njohur do të paguajë diçka më tepër se 20 milionë euro në sezon për të marrë vendin kryesor në fanellën zikaltër, të cilin prej 26 vitesh e mbante gjiganti i prodhimit të gomave, Pirelli.

Ndërkohë, nga sponsorët e fanellës, zikaltrit pritet të arkëtojnë në total rreth 30 milionë euro në sezon, pasi përveç “Socios.com”, do të jetë e stampuar edhe logoja e Nike, ndërsa mbrapa kompania e telefonave Lenovo. Drejtuesit zikaltër nuk e fshehën entuziazmin për këtë bashkëpunim të ri, që do të sjellë më shumë para në arkat e klubit dhe do të ndihmojë në fuqizimin ekonomik, pas vështirësive që krijoi pandemia.

“Jemi krenarë të njoftojmë këtë bashkëpunim, që na lidh me një kompani lider në fushën e saj. Kjo tregon se marka Inter është rritur ndjeshëm, pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia”, tha ndër të tjera administratori zikaltër Antonello.

Prezantimi zyrtar i fanellave në fushën e lojës pritej të ndodhte në Florida, por zikaltrit vendosën të anulojnë pjesëmarrjen në turneun veror, pasi shifrat në rritje të të prekurve nga varianti Delta i koronavirusit, ka shkaktuar jo pak shqetësim.

Fillimisht ishin anglezët e Arsenalit ata që vendosën të mos udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa pasditen e sotme të njëjtin hap bënë edhe milanezët, që njoftuan se do të vijojnë përgatitjet për sezonin e ri në “Apiano Gentile”.

Top Channel