Duket sikur shtëpitë të jenë ngritur me kartona dhe makinat që ndodhen nën masat ngjyrë kafe të ujit të ishin lodra kalamajsh.
Kontenierë që ngrihen përpjetë nga uji, bodrume kthehen brenda pak minutash në gracka të rrezikshme për jetën. Me elementët e saj të dhunshëm, natyra është duke na treguar gjithnjë se kush e ka pultin komandues. Njerëzit jo që jo, thotë DW. Por si krijohet nga uji një forcë e tillë shkatërruese?
Dr. Michael Dietze, nga seksioni i gjeomorfologjisë në Qendrën Helmholc të Pocdamit thekson se një metër kub ujë peshon plot një ton. “Uji është në gjendje të krijojë forcë shumë të madhe kur has me pengesa. Dhe kur kjo forcë vihet në lëvizje atëherë krijohet një fuqi e madhe që është në gjendje të ngrejë përpjetë kontenierët dhe makinat, nëse ato nuk janë të fiksuara diku,” shprehet ai, ndërsa shton se kësaj i shtohet edhe fenomeni i erozionit, i cili shkatërron sipërfaqet e qëndrueshme: Pjesa e sipërme e tokës merret me vete nga uji që rrjedh.”
Reshjet e mëdha konsiderohen një nga rreziqet që nënvleftësohen shpesh, paralajmëron Shërbimi Sinoptik Gjerman. Është e vështirë të bësh parashikime për përmbytjet, dhe ato rrallë ndodhin vetëm një vend të vetëm.
Meteorologët mund të bëjnë parashikime për rajone të caktuaara, por nuk janë në gjendje të thonë me saktësi kur dhe si do të bjerë shiu në një vend të caktuar. Dietze shpjegon se “reshjet e dendura sjellin sasi të mëdha uji sidomos në tokën e ngopur ku ka pasur reshje më parë, dhe kur toka nuk është më në gjendje të pijë ujë.”
Top Channel