Sfida e Vllaznisë në Qipro/ Shkodranët do të përballen me ekipin e Limassol

21/07/2021 11:59

Pas një udhëtimi relativisht të lodhshëm, me avion dhe autobus, rreth orës 5.30 të mëngjesit të sotëm, skuadra shkodrane e Vllaznisë ka mbërritur në Limasol të Qipros, të përballet me skuadrën AEL të këtij qyteti, ndeshje kjo e vlefshme për turin e dytë të “UEFA Conference League”.

Avioni carter i Vllaznisë, është shkëputur rreth orës 1 të mëngjesit nga pista e aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, ku pas 2 orësh fluturim është ulur në aeroportin qipriot të Larnakës. Që andej skuadrës shkodrane iu desh të udhëtonte edhe 1 orë me autobus për të përshkuar 77 km dhe mbërritur në qytetin e Limasolit.

Ditën e enjte, në orën 19:00, në stadiumin “Venue Tsirion Athlítiko Kentro” të Limasolit, nën drejtimin e gjyqtarit danez Mads-Kristoffer Kristoffersen, skuadra e Vllaznisë do të përballet me skuadrën vendase AEL, për raundin e dytë të “UEFA Conference League”.

Nëse në turin e parë skuadra shkodrane, pas humbjes 3-1 në Bosnje, në kthim në “Loro Boriçi” përmbysi gjithçka, duke fituar 3-0 dhe eliminuar boshnjakët e Siroki Brijeg, skuadra qipriote e AEL në turin e parë të këtij eventi ka qenë pushim.

Top Channel