Pirateria intelektuale po kthehet në shqetësimin kryesor të botuesve.
Prandaj një pjesë e mirë e tyre organizuan takimin me temë “Libri përballë informalitetit”. Shoqata e Botuesve dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit diskutuan për zgjidhjen e tyre nëpërmjet mekanizmave ligjorë.
“Është industri fotokopjimi nëpër fakultete. Dhe askush nuk do t’ia dijë për këtë. Duhet të bëjmë një front për të patur më shumë ndjeshmëri dhe nuk është normale që dhjetë vjet më parë kjo kuptohej shumë mirë dhe arritëm në një stabilitet për këtë çështje dhe tani këto punë kanë shpërthyer”, thotë Petrit Ymeri.
“Mua më kanë vjedhur në vitin 2008 Elfriede Jelinek-un. Kam trokitur në dyert e shtetit për ndihmë, të paktën të më bllokonte hajdutin. Jam rropatur pesë vjet nëpër gjykata dhe asnjëherë nuk e mora të drejtën”, shprehet Flutura Açka.
“Ky është një problem edhe më i madh. Është problem rajonal. Librat tanë më të mirë janë piratuar dhe vazhdojnë të piratohen në rajon”, tregon Irena Toci.
“Do të ishte shumë mirë që të kishte hapa konkrete që të gjithë këta elementë që piratojnë të kenë pengesa”, tregon Anila Bisha.
Pas shqetësimeve konkrete drejtori i Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut në lidhje me problematikën e piraterisë dhe të informalitetit në sektorin e librit u shpreh se kanë filluar inspektimet në rrethe.
“Sot janë bërë urdhrat e punës dhe kjo jo për shkak të tavolinës që jemi mbledhur dhe nesër fillojnë inspektimet në rrethet që ju keni përmendur“, shpjegoi Neritan Frashëri, drejtor i pronësisë intelektuale
“Sa herë të ketë raste konkrete të piraterisë ato të depozitohen pranë QKLL dhe ne i delegojmë”, thotë Alda Bardhyli.
Top Channel