Brahim Diaz prenoton numrin 10: E dua këtë klub, do të tregoj aftësitë e mia

20/07/2021 23:55

Të hënën, Milani bëri zyrtare marrëveshjen për Brahim Diazin me Realin e Madridit mbi bazën e një huazimi dyvjeçar me mundësinë e blerjes nga kuqezinjtë. Sulmuesi ka zgjedhur fanellën me numër 10 për përvojën e dytë te “Djalli”.

“Është një numër unik në historinë e Milanit. Do të jap më të mirën për tifozët. E dua këtë klub, dua të jap më të mirën time për numrin 10, sepse më pëlqen shumë dhe ka një rëndësi të madhe në klub. Milano. Do të tregoj aftësitë e mia, do të luftoj për të pasur një sezon të shkëlqyeshëm”. Brahim Diaz zbuloi detaje nga biseda që ka pasur me trajnerin e Realit, Carlo Ancelotti.

“Ne biseduam për Milanin me Ancelottin, ai e ka zemrën kuqezi dhe do shumë këtë klub. Më tha të jepja gjithçka për këtë ekip shumë të rëndësishëm. Ai ishte shumë i lumtur për kthimin tim këtu. Kam kaluar ditë shumë të mira me të, ne folëm shumë për madhështinë e këtij klubi”.

E pamundur për të mos bërë një vlerësim të sezonit të kaluar, me Milanin që siguroi pas shumë vitesh mungesë pjesëmarrjen në Champions.

“Vitin e kaluar kam kaluar një kohë të shkëlqyer, jam argëtuar shumë dhe kam kuptuar madhështinë e këtij klubi. Këtë vit ne shpresojmë të bëjmë më mirë. Pioli ka ndërtuar një grup shumë të mirë me lojtarë me përvojë dhe lojtarë të rinj që duan të rriten së bashku. Falë tij mësuam shumë. Tani duhet të rritemi, duke ndjekur trajnerin për të pasur një sezon tjetër të shkëlqyer”.

Top Channel