Fjolla Morina

Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina ka përfunduar në prangat e policisë së Kosovës ditën e sotme.

Ajo është hasur në një lokal të Prishtinës dhe është arrestuar nga policia, bëjnë me dije mediat kosovare. Këngëtarja ishte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Vitin e kaluar, në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ajo u kap me dy armë në makinën e saj teksa ishte e shoqëruar nga dy persona.

Morina qëndroi në arrest shtëpiak në Kukës për disa javë, dhe më pas u arratis. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës depozitoi vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Ajo u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet.

Gjatë një interviste, Morina tregoi se në banesë qëndroi gjatë gjithë periudhës me partnerin e saj. Ajo ka shtuar se ditën kur policia i shkoi në shtëpi për të kontrolluar nëse ishte aty, kishte shkuar në spital pasi vuante nga depresioni. Më pas Morina theksoi se kur mësoi se uniformat blu kishin shkuar në banesë, u frikësua dhe u largua në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, këngëtarja ka bërë udhëtime të shumta si Dubai dhe Maldive. Në destinacionin e fundit, këngëtarja i dha fund beqarisë. Ajo kurorëzoi në martesë dashurinë e saj me biznesmenin, Fisnik Syla.

Ndërsa në lidhje me armën që iu gjend në makinë, Fjolla ka thënë se ishte e një miku të saj që kishte ndërruar jetë dhe e mbante për vetëmbrojtje, pasi ishte nënë e vetme e dy vajzave. Ajo theksoi se nuk e dinte që armën e kishte marrë me vete, pasi kishte harruar që e kishte vendosur në çantë.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel