Pas firmës mbi kontratë të francezit Olivier Giroud, Milani priste mbërritjen e mbrojtësit franko-senegalez Fode Ballo-Toure, për të cilin ishin programuar edhe vizitat mjekësore paraditen e sotme, por drejtuesit e kuqezinjve i kanë anuluar ato në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Disa detaje ende të pazgjidhura mbi marrëveshjen e transferimit të futbollistit nga klubi i Monacos, kanë bërë që 24-vjeçari të mos niset drejt Milanos dhe drejtuesit e klubit kuqezi të anulojnë prenotimin që kishin bërë në klinikën La Madoninna.

Fode Ballo-Toure shihet nga Maldini e Pioli si lojtari i duhur për t’u rritur nën hijen e Theo Hernandez dhe për të qenë zëvendësuesi i parë i tij, teksa me Monacon ishte arritur një marrëveshje paraprake për huazimin me të drejtë blerjeje për shifrën e 4.5 milionë eurove në total.

Gjithsesi nuk dihet ende pse ngeci transferimi, ndaj në orët e ardhshme pritet që Maldini të kontaktojë sërish me drejtuesit e klubit francez, për të zhbllokuar gjithçka dhe sjellë franko-senegalezin në Milano.

Top Channel