“Mangësi serioze të fuqisë punëtore”, nga fasonët te mjekësia, sektorët e alarmuar për punonjës. Turizmi lë pretendimet për profesionistë

17/07/2021 08:26

Nga industria që punon me material porositësi te turizmi e deri te teknologjia e informacionit, call center e mjekësia, shumë sektorë në vend po vuajnë për gjetjen e punonjësve, çka ka bërë që shpesh të lënë pretendimet për njerëz të kualifikuar mjaft të sigurojnë staf.

Fasoni nuk po gjen punonjës

Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2019, grumbulloi nga bizneset rreth 49 mijë oferta për punë. Gjysma e tyre, më shumë se 25 mijë, u përkasin fabrikave të biznesit fason.

Bizneset e sektorit fason në të gjithë vendin, nga Shkodra në Gjirokastër, kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Edhe tani kur pandemia po zbehet, mungesa e punonjësve po i pengon të ringrihen disa fabrika që kanë rritje të porosive. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi. Këtë e ka treguar edhe rritja e eksporteve në sektor, me 16 dhe 10% në dy vitet e fundit, por nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.

Gjergj Liqejza, administrator i “Shqipëria Trikot”, i cili ushtron aktivitetin në qytetin e Shkodrës, tha se është bërë shumë e vështirë për të gjetur krahun e punës, për shkak të dy fenomeneve të lidhur me njëri-tjetrin. I pari është emigracioni, që i bën një pjesë të njerëzve të ikin jashtë. Nga ana tjetër, emigracioni dekurajon vajzat dhe gratë të mos punojnë, sepse emigrantët sjellin të ardhura. Kjo është tipike për zonën e Shkodrës, tha zoti Liqejza.

Turizmi lë pretendimet për profesionistë, nuk gjejnë njerëz
Hotelet, sidomos në zonat turistike me distancë nga Tirana, ku është e përqendruar forca e punës, janë në krizë për punonjës. Para pak vitesh, sektori i hotelerisë kishte rezerva të mëdha në lidhje me mungesën e stafeve të kualifikuara, por aktualisht pretendimet e tyre kanë rënë. Mjaft të kenë njerëz, se trajnimin e marrin përsipër vetë. “Ka pak krah pune të interesuar.

Mjafton të duan të punojnë. Trajnimet e duhura i kemi realizuar, edhe pse me kosto të larta për ne, pasi me rastin e parë, ose kanë ikur jashtë, ose janë zhvendosur në pikun e sezonit në Jug të vendit”, thotë Fatos Çerenishti, drejtues i “FAFA Resort” në Golem, i cili ka investuar ndjeshëm vitet e fundit në rritjen e kapaciteteve hoteliere, përmes një kompleksi të ri, në përgjigje të shtimit të kërkesës nga turistët e huaj.

Edhe në zonat malore turistike të Valbonës, mungesa e punonjësve ka nisur t’i pengojë bizneset për zgjerim të mëtejshëm. Administratorët e bujtinave atje pohojnë se po përballojnë me sforco shërbimin për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Të rinjtë vendas janë shndërruar në punonjës sezonalë për vendet e BE-së, duke mos preferuar të punojnë për një pagë mujore 20 mijë lekëshe në hotelet e zonës. Marrja e punonjësve nga qytete të tjera është e papërballueshme, teksa shërbimet mbulohen vetëm me familjarë të bujtinave, të cilët çalojnë në shërbim.

Call center, ikin punonjësit cilësorë
Sektori i call center po e vuan në një masë më të moderuar nevojën për punonjës. Në këtë sektor vërehen dy lloje emigracioni: ai i njerëzve të varfër dhe ata që ikin për një jetë më të mirë. Sektori i call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, sidomos i të rinjve, po vuan këtë të dytën.

Në nivel numrash, operatorët e tregut pohojnë se nuk po ndiejnë ndonjë problematikë të theksuar për ikjen e punonjësve.

Drejtues të Intercom Data Service (IDS), një prej operatorëve më të mëdhenj në vend, me rreth 3 mijë të punësuar, pohojnë se problem për sektorin e tyre është se ata që po ikin janë punonjësit cilësorë dhe me përvojë. Kjo është një pengesë për të rritur nivelin e shërbimit, për të kaluar nga call center, në shërbime me vlerë të shtuar.

Shqetësim është fakti që punonjësit cilësorë nuk po ikin për çështje pagese, pasi call center ka nivele pagash shumë më të larta sesa p.sh. industria fason, por ata kërkojnë një jetë më të mirë. Sipas një vlerësimi paraprak, në përgjithësi nuk po ikin vetëm 20-vjeçarët, por ata që kanë krijuar përvojë, kanë një familje të re, apo kanë në plan që të krijojnë familje.

Lorenc Goga, administrator i Facile.it, kompani që ofron shërbime në web marketing, pohoi pak kohë më parë se, gjetja e punonjësve shpeshherë është kthyer në një sfidë për aktivitetin. Mungesa e punonjësve të kualifikuar në shërbimet e TIK e ka penguar atë të nënshkruajë një kontratë të re shërbimi me një kompani të huaj.

Kontrata ishte për shërbime të një niveli më të lartë se web marketing dhe pagesat ishin premtuese, por mungesa e punonjësve të kualifikuar për këto shërbime po bëhet pengesë për nënshkrimin e saj. Më shumë se emigracionin, Goga bën me faj sistemin arsimor në vend, që në dekadën e tretë të tranzicionit nuk po mund të përmbushë nevojat e tregut të punës.

Mjekësia po shteron, 78% e doktorëve duan të largohen
Si rrjedhojë e migrimit masiv dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë. Shqipëria renditet në vendin që kishte më pak mjekë për 10 mijë banorë në Europë, edhe në vitin 2019, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara në shkurt 2021.

OBSH ka publikuar edhe të dhënat në vite, kur në 2018-ën, numri i mjekëve për 10 mijë banorë në vend arriti në rekordin e 21.58, duke rënë sërish një vit më pas, duke reflektuar emigracionin që ka përfshirë trupën mjekësore, kryesisht në Gjermani.

Shteti i dytë me më pak mjekë në raport me popullsinë, sipas të dhënave të OBSH-së, është Turqia, me tregues 18.7, me të dhënat e fundit të përditësuara për 2018-n. Më pas renditen Qipro (19.5), Polonia (23.8), Bosnja (21.62). Nga shtetet e rajonit, më shumë personel mjekësor ka Serbia (31.1).

Në Europë, rekordin për një trupë të zgjeruar të personelit mjekësor, e mban Italia, me 80 mjekë për 10 mijë banorë në 2019-n, e ndjekur nga Gjeorgjia (70.7), Franca (66.3), Greqia (62.3).

Numri i mjekëve në dispozicion të popullsisë ishte një nga treguesit kryesorë ku u përqendruan raportet ndërkombëtare me fillimin e pandemisë së COVID-19. Sa më i ulët të ishte ky tregues, së bashku me shpenzimet për shëndetësinë në raport me madhësinë e ekonomisë, më të vështirë do ta kishin vendet të përballonin presionin që pandemia do të ushtronte në sistemet e tyre spitalore.

Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Foundation Tirana”, ka realizuar një studim, gjetjet e të cilit tregojnë se largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia). /Monitor/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA