Qeveria mblodhi 234 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, rreth 319.6 milionë euro më shumë të ardhura se krahasuar me vitin e kaluar, duke konfirmuar përmirësimin e ecurisë së ekonomisë, pasi kanë tejkaluar edhe nivelet e para krizës.

Sipas Ministrisë së Financave ndikim në ecurinë pozitive të të ardhurave kanë dhënë thuajse të gjithë zërat, ku veçanërisht rritjen më të madhe e ka shënuar Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me rreth 9.8 miliardë lekë më shumë se në 2020-ën.

Më shumë para kanë hyrë në buxhet edhe nga mbledhja e taksave mbi të ardhurat dhe kontributet shoqërore në raport me një vit më parë, kur shumë individë humbën vendet e punës si rrjedhojë e krizës. Por, me gjithë përmirësimin këto tregues mbeten poshtë nivele të parakrizës duke reflektuar edhe pasojat e pandemisë të individët.

Të njëjtin trend në rritje kanë ndjekur edhe arkëtimet nga tatim fitimi për 6-mujorin që gjeneroi rreth 17.7 miliardë, më shumë se në 2020-n, por ende fitimet e bizneseve duket se janë larg niveleve të vitit 2019.

Paralelisht, qeveria ka rritur edhe shpenzimet buxhetore në këtë pjesë të parë të vitit duke arritur në 263.1 miliardë lekë, rreth 29.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me janar-qershor 2021, ku rritjen më të fortë e kanë shënuar shpenzimet korrente për personelin dhe detyrime të tjera të ekzekutivit.

Ndërsa deficiti buxhetor është ulur këtë periudhë në 29.1 miliardë lekë, si rrjedhojë edhe e ecurisë pozitive të të ardhurave, teksa një vit më parë ky tregues ishte 38.4 miliardë lekë, ndjeshëm më i lartë ndikuar së tepërmi nga pandemia.

Top Channel