Sfida e përjetshme mes Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit luhet në të gjitha frontet, edhe atë ekonomik. Një nga motivet për të cilin sulmuesi portugez la Realin e Madridit ishte pikërisht rroga, jo se në Spanjë nuk e paguanin mjaftueshëm, (23 milionë euro në vit nuk mund të konsiderohen pak), por në krahasim me argjentinasin e Barcelonës përfitimi ishte më i ulët.

Cristiano nuk pranonte idenë se fitonte më pak se Messi (që në 2018-ën merte 40 milionë euro neto në vit) dhe aq më pak edhe faktin që Florentino Perez nuk donte t’i njihte edhe ekonomikisht rolin e numrit 1.

Madje në vitin e tij të fundit në Spanjë, Ronaldo u parakalua edhe nga Neymar, që e kishte çuar pagën e tij shumë pranë kuotës 30 milionë euro me kalimin te PSG. Edhe për këtë arsye portugezi pasi fitoi Champions League, vendosi të ndryshonte ambient, kaloi te Juventusi që i garantoi një pagë prej 31 milionë eurosh neto në sezon për 4 vitet e ardhshme, deri në 2022 dhe tani kjo shifër është më e larta që përfiton një lojtar futbolli.

Kështu Ronaldo u kthye para Neymar dhe parakalon edhe Messin që me kontratën e re me shtrirjen e pagës në një kohë më të gjatë, zbret në vendin e tretë të klasifikimit të lojtarëve që paguhen më shumë, pas portugezit e brazilianit. Në 5-shen më të paguar janë dhe Mbappe e Griezman që përfitojnë respektivisht te PSG dhe Barcelona nga 18 milionë euro në sezon.

Ronaldo ka moshën më të madhe nga të gjithë, 36 vjeç, por falë nevojës së Barcelonës për të ulur kostot pas telasheve ekonomike të shkaktuara nga Covid-19, e gjen veten sërish në krye, me një kontratë që i garanton të njëjtën pagë të paktën edhe për një sezon. Duke parë se çfarë po ndodh vërdallë, ai vetë e kupton se këto shifra është e vështirë t’i arrish në futbollin e sotëm, ku për të gjithë klubet, ndoshta me përjashtim vetëm të PSG, ekziston nevoja për të ekuilibruar bilancet.

Ronaldo në shkurt do të mbushë 37 vjeç dhe gjatë këtij sezoni të fundit me Juventusin, i duhet të vendosë nëse do të fitojë më pak në të ardhmen duke qëndruar në Europë, apo t’i thotë lamtumirë futbollit elitar dhe të mbyllë karrierën në SHBA, apo në vende të tjera ku futbolli është më pak kompetitiv, por ende xhirojnë shumë para.

Cristiano e përjeton gjithçka si një sfidë, ndaj edhe ana ekonomike do të jetë një motiv më tepër. E mbylli Europianin me titullin e krye-golashënuesit, por edhe me një eliminim në 1/8-at që vështirë se do ta ketë kapërdirë. Për më tepër ka parë Messin të ngrejë lart Kupën e Amerikës me Argjentinën e tij. Do të kthehet në Torino me shumë dëshirë për të fituar të tjerë të trofe, e ndoshta për t’i treguar botës se ende i meriton ato 31 milionë euro në vit.

Top Channel