Spanja pranë rikthimit të kufizimeve dhe shtetrrethimit anti-COVID-19

15/07/2021 03:13

​Të përballura me një shpërthim të papritur në numrin e rasteve COVID-19, rajone të ndryshme të Spanjës po mbyllen gradualisht. Sipas medieve katalanase, Katalonja, epiqendra e kësaj vale të pestë të pandemisë, ka marrë nga gjykata rajonale miratimin për të vendosur një shtetrrethim në qytetet më të prekura, përfshirë kryeqytetin, Barcelona.

Që nga fundjava e kaluar, klubet e natës në mjedise të brendshme janë mbyllur për të paktën 15 ditë, ndërsa kërkohet një test negativ antigjeni ose PCR për të marrë pjesë në ngjarje në natyrë, nëse ato përfshijnë më shumë se 500 persona. Rajonet e tjera kanë marrë ose po konsiderojnë masa të ngjashme.

Rajoni i Valencias ka vendosur sërish një shtetrrethim nga ora 23:00 deri në 04:00 dhe ka kufizuar në dhjetë numrin e personave që mund të marrin pjesë në takime në 32 lokalitete me më shumë se 5 000 banorë, pas marrëveshjes me organin më të lartë gjyqësor rajonal.

Shkak për këto masa është varianti Delta, shumë më ngjitës, me një rritje eksponenciale të rasteve gjatë javëve të fundit, kryesisht te të rinjtë. Të martën në mbrëmje, incidenca arriti në 436 raste për 100 000 banorë gjatë 14 ditëve, një nivel që nuk ishte arritur që nga çastet më të këqija të pandemisë.

Top Channel