Putin me gjuhë të ashpër: Ukraina, krijesë artificiale e ngritur në toka ruse

15/07/2021 03:46

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se Ukraina është një shtet i krijuar nga “bujaria” sovjetike, që sot ngrihet mbi territore të mëdha hapësire që tradicionalisht e historikisht kanë qenë ruse.

Përmes një artikulli të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, Presidenti rus përshkruan se si i gjithë territori i Ukrainës ka qenë dikur nën kontrollin e Perandorisë Ruse dhe se si ukrainasit dhe rusët mund të gjurmojnë pas në histori rrënjët e përbashkëta.

Putin thotë se pjesa më e madhe e Ukrainës është historikisht dhe etnikisht ruse dhe orientimi i Kievit drejt Perëndimit është një refuzim i këtyre lidhjeve me Moskën dhe realitetin politik, historik e kulturor mes dy vendeve. “Ukraina moderne është një krijesë e epokës sovjetike. Të gjithë e dimë dhe e mbajmë mend këtë. Në pjesën më të madhe u krijua në kurriz të territoreve historike ruse. Kufijtë e Rusisë u ngushtuan në mënyrë të padrejtë dhe territore të mëdha u dhuruan në mënyrë bujare”, thotë shefi i Kremlinit.

Megjithatë, Putin thotë se pavarësisht përplasjeve dhe raporteve të tensionuara politike me Kievin, Rusia mbështet qytetarët ukrainas në të drejtën për vetëvendosje. Ai e mbyll artikullin duke thënë se Rusia nuk ka qenë kurrë anti-Ukrainë dhe se e ardhmja e Ukrainës duhet të vendoset nga vetë qytetarët e saj.

Prej vitesh Rusia dhe Ukraina janë në përplasje edhe ushtarake. Moska aneksoi Krimenë, ndërsa mbështet hapur edhe rebelët prorusë në rajonet lindore të Donbasit në Ukrainë.

Top Channel