5 vjet nga Grushti i Shtetit në Turqi. Rrëfimi i Ambasadorit të Turqisë z. Murat Ahmet Youruk për Top Talk

15/07/2021 16:55

5 vite më parë në orët e mbrëmjes së 15 korrikut në Turqi ndodhi një përpjekje serioze për grusht shteti.

Në këtë skenar ishin angazhuar segmente të ushtrisë turke që ishin kundër qeverisë së kryeministrit Yildirim dhe presidentit Erdogan. Tanket dolën në rrugë dhe hapën zjarre ndaj ndërtesës së parlamentit, e cila u godit edhe nga ajri.

Avionët e ushtrisë nën kontrollin e qeverisë u ngritën në ajër për të neutralizuar mjetet që ishin marrë nën zotërim nga pilotë rebelë. Presidenti Erdogan nuk ndodhej në Ankara gjatë kryengritjes dhe jeta e tij nuk ishte në rrezik dhe pse gjatë orëve të grushtit të shtetit kishte informacione kontradiktore për vendndodhjen dhe jetën e tij.

Në të gdhirë të datës 16 korrik, qeveria deklaroi se situata ishte nën kontroll dhe grushti i shtetit kishte dështuar. Rreth 261 persona humbën jetën nga trazirat dhe mbi 2100 të tjerë u arrestuan si të implikuar në këtë skenar për përmbysjen e pushtetit në Turqi.

Presidenti Erdogan i bëri thirrje popullit të distancohet nga rebelët. Dhe reagimet politike brenda dhe jashtë Turqisë ishin kundër anarkisë.

Ambasadori i Turqisë, Murat Ahmet Youruk ka folur në “Top Talk” rreth kësaj ngjarje duke rrëfyer se cfarë ndodhi mbrëmjen e 15 korrikut në Turqi.

“Sot është data 15 korrik, dita e tentativës për grusht shteti në Turqi. Më lejoni të them se gjatë kësaj tentative, humbën jetën 261 persona, të cilët në këtë rast gjej mundësinë të përcjell mesazhet ngushëlluese familjarëve dhe i lutem Zotit, mëshirë për ata shpirtra që kanë iku nga kjo botë dhe pjesa tjetër që u dëmtua, i uroj shërim të shpejtë.

Natyrisht këto janë akte terroriste të cilat i ka organizuar organizata terroriste e Gylenit. Mendoj që kur flasim për këto tema, edhe publiku shqiptar duhet t’i kuptojë më qartë se ato që ndodhën në Turqi natën e 15 korrikut ka qenë një ngjarje dramatike. Në orët e vona të asaj nate, të gjithë përfaqësuesit e partisë politike ishin në godinën e parlamentit.

Objektivi i tyre ishte i qartë dhe dihet tashmë sepse lideri i kësaj organizate pretendon të jetë i dërguari i të gjithë botës, kështu që në këtë sens, populli turk me të gjithë mundësinë e tyre arriti që ti dalë për zot demokracisë. Përballë popullit ishin helikopterët, ishin avionët luftarakë që luftonin në qiell. Si mundet që disa njerëz të cilët janë të infiltruar brenda strukturave të shtetit dhe të sulmojnë institucionet e tyre, kështu që të gjithë e kanë pasur synim sulmimin. Duke filluar nga 2013 deri tani, nën regjimin e Erdogan u arrit të kuptohet qartë infiltrimi i këtyre individëve në strukturat e shtetit. E gjithë çështja është fokusuar se do ta fitonin këtë tentativë por nuk kishin llogaritur diçka tjetër.

Nga pikëpamjet e mia, kjo tentativë duhet të shikohet nga dy pika kritike. E para ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit, mes të cilëve kishte dhe nga ata që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur ndërsa kishte edhe shqiptarë. Këtë akt terrorist e arritën deri diku ta realizonin kundra popullit me reforma ushtarake.

Nëse do vinim tek pika më kritike e kësaj tentative, me qëndrimin dhe qasjen e vendosur nga presidenti Erdogan, arriti në një farë mënyrë që të bëjë thirrje dhe me të gjithë bllokadat në orët e vona nga këta puçistë, arriti që të ftojë popullin në protestë kundra këtyre akteve terroriste”, tha Murat Ahmet Youruk.

Top Channel