Marrëveshja me Çuçin për kriminelët shqiptarë, video-mesazhi i Patel: Do godasim ata që shkaktojnë rrezik në Mbretërinë e Bashkuar!

14/07/2021 21:42

Disa ditë pas vizitës në Tiranë, Priti Patel sekretare shteti në Ministrinë e Brendshme angleze Home Office ka publikuar në Facebook një video mesazh, ku jep detaje përse e zhvilloi këtë vizitë në vendin tonë dhe çfarë u arrit.

Në video mesazh ajo thotë: “Kjo marrëveshje kthimi është marrëveshje historike, është shumë e rëndësishme, është një fakt që ne kemi shumë shqiptarë në burgjet tona dhe sigurisht që është objektivi ynë si qeveri që të bëjmë gjithçka që ne mundemi për tu siguruar që t’i largojmë. Jam takuar me Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin e Shqipërisë për të folur rreth operacionit tonë bilateral në çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, por gjithashtu me kthime dhe ripranime të shtetasve të huaj që kanë kryer vepra penale dhe kthimin e shqiptarëve në Shqipëri.

Qëllimi i kësaj vizite nuk është vetëm për të forcuar bashkëpunimin, marrëdhënia jonë është e mirë, por gjithashtu për të parë se si sjellja jonë operacionale dhe partneritetet tona forcohen më shumë kështu që ne mund të godasim dhe të shkojmë pas atyre që po shkaktojnë rrezik në Mbretërinë e Bashkuar.”

Kujtojmë se para disa ditësh, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Priti Patel dhe të dy kanë firmosur Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian.

Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Top Channel