IEBV: Bashkia Kavajë gënjen. Përgjegjëse për plehrat e qytetit. Fshehu të dhënat

14/07/2021 13:55

Shoqëria koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, ka reaguar deklaratës së kreut të Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, i cili bëri fajtor Landfillin e Sharrës për situatën e krijuar nga depozitimi i mbetjeve në zonën turistike midis Spillesë dhe plazhit të gjeneralit. 

Në një deklaratë për shtyp të kompnaisë thuhet se kreu i Bashkisë ka refuzuar të jepte sasinë e mbetjeve dhe situata e krijuar është përgjegjësi e tij.

“Nga ana e saj Bashkia Kavajë nuk plotësoi dokumentacionin e kërkuar dhe mbajti atë peng, duke refuzuar të deklarojë sasinë e saktë të mbetjeve që gjeneron kjo bashki në ditë. Nga ana tjetër këto deklarime janë të nevojshme për ecurinë e marrëdhënies kontraktuale ndërmjet palëve. Pikërisht mosdeklarimi nga ana e Bashkisë Kavajë i sasive të depozitimit për mbetjet e gjeneruara nga territori i Bashkisë Kavajë, të cilat do depozitoheshin pranë Z.T.M.T krijoi këtë pengesë që sipas kryetarit të kësaj bashkie zotit Krali, ishte faji i shoqerisë dhe jo i Bashkisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Deklaratë për shtyp e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”shpk

Jemi njohur me deklaratën e ditës së sotme dhënë në media nga Kryetari i Bashkisë Kavajë, në lidhje me problematikën e depozitimit të mbetjeve të territorit të Bashkisë Kavajë.

Të gjendur përballë këtij fakti jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë dhe të informojmë në lidhje me këtë problematikë, për shkak të transparencës kundrejt opinionit publik.

Në datën 15.06.2021 është lidhur një akt-marrëveshje depozitimi ndërmjet Bashkisë Kavajë dhe “Integrated Energy BV SPV” shpk. Përveç akt-marrëveshjes së depozitimit nga ana e shoqërisë është kërkuar edhe dokumentacioni plotësues në lidhje me procedurat e depozitimit që ndjek shoqëria. Një kusht themelor në aktivitetin e shoqërisë tonë, e cila operon në Zonën e Trajtmit të Mbetjeve Tiranë (Z.T.M.T) sipas të gjitha standarteve të BE.

Nga ana e saj Bashkia Kavajë nuk plotësoi dokumentacionin e kërkuar dhe mbajti atë peng, duke refuzuar të deklarojë sasinë e saktë të mbetjeve që gjeneron kjo bashki në ditë. Nga ana tjetër këto deklarime janë të nevojshme për ecurinë e marrëdhënies kontraktuale ndërmjet palëve. Pikërisht mosdeklarimi nga ana e Bashkisë Kavajë i sasive të depozitimit për mbetjet e gjeneruara nga territori i Bashkisë Kavajë, të cilat do depozitoheshin pranë Z.T.M.T krijoi këtë pengesë që sipas kryetarit të kësaj bashkie zotit Krali, ishte faji i shoqerisë dhe jo i Bashkisë.

Sot ne takimin e Kryetarit të Bashkisë Kavajë me Administratoren e shoqërisë u krye edhe finalizimi i procedurës në lidhje me plotësimin e dokumentacionit nga ana e Bashkisë Kavajë. Nga dita e sotme Zona e Trajtimit të Mbetjeve ka pritur depozitimet e mbetjeve të ardhura nga territori i kësaj Bashkie.

Nuk është hera e parë që Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë ndeshet me problematikën e mosdeklarimit të saktë të sasive të mbetjeve që vijnë për depozitim nga bashkitë e qarkut Tiranë. Ne si shoqëri, jemi të gatshëm të vijmë në ndihmë, të bashkëpunojmë, të ofrojmë shërbim, por duke gjetur mënyrën më të mirë për ti dhënë zgjidhje trajtimit të mbetjeve sipas të gjitha standarteve të përcaktuara nga BE.

Jemi të keqardhur kur dëgjojmë deklarata të tilla, apo thirrje publike për “hapjen e traut” nga kryetari i Bashkisë së Kavajës zoti Redjan Krali, të cilin e inkurajojmë të mbajë përgjegjësitë dhe të respektojë rregullat dhe ligjet për një mbarëvajtje korrekte midis Palëve.

Ne si shoqëri koncesionare, mbajmë përgjegjësi të plotë për sasitë dhe tipologjinë e mbetjeve në bazë të kontratës së koncesionit dhe ligjeve në fuqi dhe për këtë shkak e kemi të pamundur “të hapim dhe të mbyllim traun” sipas dëshirës dhe në kundërshtim me ligjin.

Jemi të vendosur të mos cënojmë asnjë kriter dhe standart të BE mbi të cilat Zona më e madhe e Trajtimit të Mbetjeve në vend operon.

Top Channel