Mbi 2 397 biznese kanë ulur qepenat në pjesën e parë të këtij viti, pasi sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit këto sipërmarrje janë çregjistruar nga janari e deri më 9 korrik.
Shtim të numrit pranë QKB-së duket se ka pasur edhe për pezullim të aktivitetit, pasi mbi 4200 sipërmarrje të tjera kanë kaluar në status pasiv, teksa janë çelur më shumë se 9500 biznese të reja në të gjithë vendin.
Ekspertja për ekonominë Elona Shehu shpjegon se kjo dinamikë nuk lidhet vetëm me situatën e pandemisë, por edhe me mungesën e një studimi të mirëfilltë tregu.
“Faktori kryesor se pse hapen dhe mbyllen kaq shumë biznese brenda një periudhe kaq të shkurtër kohe, mungesa e trajnimeve për stafin që ato kanë dhe struktura e tyre që janë përgjithësisht biznese familjare. Këto kategori nuk kanë një plan të studimit të tregut apo nuk kanë një orientim të duhur sa i përket të bërit biznes që në totalin e të punësuarve kanë një peshë shumë të vogël krahasuar me biznesin e mesëm dhe të madh”, thotë ekspertja.
Për eksperten Elona Shehu, pandemia ka transformuar mënyrën e të bërit biznes dhe sipërmarrja ka nevojë për mbështetje për t’iu përshtatur situatës.
“Me të drejtë do të duhet që të kërkojnë mbështetje përmes paketave fiskale në mënyrë që të trajnohej stafi apo në mënyrën se sit ë bënin biznes në përshtatje me situatën”, shpjegon Shehu.
Pavarësisht goditjes nga pandemia, ku shumë biznese pezulluan aktivitetin për rreth 3 muaj si pasojë e karantinës, Instat raporton se fund të 2020-ës, numërohen 166.3 mijë ndërmarrje aktive, duke u rritur me 2.5% kundrejt 2019-ës.
Top Channel