Milanello “provincë” e Parisit, Milani flet frëngjisht gjithmonë e më tepër

13/07/2021 23:56

Milanello po shndërrohet në provincë të Parisit. Me këtë fjali e nis artikullin e saj për merkaton e Milanit “Sportmediaset”, që zbulon se kolonia franceze të kuqezinjtë po shtohet gjithmonë e më shumë, pasi të tjerë futbollistë pritet të vihen nën urdhrat e Stefano Piolit.

Theo Hernandez dhe Kalulu ishin të parët që mbërritën te Milani, ndërsa muajin e kaluar hodhi firmën mbi kontratë edhe portieri Mike Maignan, i cili erdhi nga Lille dhe do të zëvendësojë Donnarummën e larguar në fund të sezonit.

Por nuk mbaron me kaq, pasi drejtuesit e Milanit kanë arritur marrëveshjen me Chelsea-n për blerjen e kartonit të Olivier Giroud, një tjetër francez, që ishte i impenjuar me “gjelat” në Euro 2020 dhe që pritet të zbarojë në Milano të premten për të kryer vizitat mjekësore dhe firmosur një kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë.

Ndërkohë një tjetër francez që pritet t’u bashkohet kuqezinjve këtë verë, është edhe mesfushori Tiemoue Bakayoko, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Napolit dhe tani po shtyn për t’u rikthyer sërish te Milani, klub në të cilin luajti edhe tre sezone më parë, duke bërë mjaft mirë. Lista vijon me mbrojtësin anësor Fode Ballo-Toure, i cili është rritur në Francë, por në arenën ndërkombëtare ka zgjedhur të përfaqësojë vendin e tij të origjinës, Senegalin. Futbollisti 24-vjeçar është në pronësi të Monacos dhe pritet të mbërrijë te Milani në formën e huazimit me të drejtë blerjeje.

E ndërkohë që vëmendja e Maldinit mbetet në tregun francez, trajnerit Stefano Pioli nuk i mbetet gjë tjetër veçse të nisë të mësojë frëngjisht, pasi Kessie dhe Bennacer kanë pranuar se flasin në këtë gjuhë me njëri-tjetrin, duke qenë se kuptohen më mirë. Grupit të frankofonëve u shtohen edhe belgu Saelmaekers, portugezi Rafael Leao e danezi Simon Kjaer, që kanë luajtur në Ligue 1, si dhe vetë Zlatan Ibrahimovic, që ka qenë për plot 4 sezone pjesë e Paris Saint Germain.

Top Channel