Doza e tretë e Pfizer/ Drejtuesit e kompanisë do të takojnë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë

13/07/2021 02:20

Pfizer dhe zyrtarë të lartë amerikanë të shëndetësisë, po diskutojnë për kërkesën e kompanisë për marrjen e një autorizimi federal për injektimin e një doze të tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Kompania tha më herët se një dozë e tretë duhej të merrej brenda 12 muajsh nga vaksinimi. Sipas saj, të dhënat e hershme nga një studim i kompanisë sugjerojnë se nivelet e antitrupave tek njerëzit shtohen nga pesë në 10-fish pas marrjes së një doze të tretë, krahasuar me dozën e dytë të marrë muaj më parë, provë që besohet se mbështet nevojën për një dozë përforcuese.

Edhe Antoni Fauci, nuk e ka përjashtuar mundësinë, por ai mendon se është shumë shpejt që qeveria të rekomandojë një dozë të tretë. Ndërkohë të dielën, Izraeli tha se do të nisë ofrimin e dozës së tretë të vaksinës së Pfizer për të rriturit me sisteme të dobëta imunitare, por po vazhdon të shqyrtojë mundësinë e bërjes së kësaj mundësie të disponueshme për publikun e gjerë. Përhapja e shpejtë e variantit Delta ka bërë që shkalla e vaksinimit të shënojë rënie në Izrael, me infektimet e reja që janë rritur ndjeshëm krahasuar me një muaj më parë.

Pfizer dhe partneri i saj BioNTech, kanë thënë ndërkohë se do t’i kërkojnë rregullatorëve amerikanë dhe evropianë brenda javësh që të autorizojnë edhe dozën e tretë. Kompanitë kanë përmendur rrezikun e shtuar të infektimit pas gjashtë muajsh në kërkimin e autorizimit. Por disa shkencëtarë dhe zyrtarë e kanë kritikuar kompaninë pasi sipas tyre ajo nuk ka ndarë të dhënat që e tregojnë atë rrezik.

Top Channel