Do rritet çmimi i ujit? Strategjia për ujësjellësit parashikon investim me faturat e shërbimeve

13/07/2021 19:45

Ujësjellës-Kanalizimet kanë nevojë për rreth 5 miliardë euro investime deri në vitin 2040 për të ofruar furnizim me ujë pa ndërprerje në të gjithë vendin.

Është kjo shifra që parashikon Enti Rregullator i Ujit në raportin e performancës për vitin 2020 për Master Planin e Furnizimit me Ujë, duke argumentuar se financimi aktual megjithëse ka ndjekur rritje vazhdimisht nuk i përgjigjet nevojave që ka sektori.

Për përmbushjen e kërkesave thuhet në raportin e ERRU, kërkohen mesatarisht rreth 200 milionë euro në vit financime. Por, si do të sigurohen këto fonde dhe a do të rëndojë konsumatorin final?

Në raportin e ERRU specifikohet se tre mënyrat për sigurimin e tyre përfshijnë buxhetin e shtetit, financimin nga donatorët dhe tarifat nga faturat e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve nga konsumatorët, çka nënkupton se këto të fundit do të duhet të paguajnë më shumë në të ardhmen për çmimin e ujit pasi një pjesë e kostos do të kalojë te faturat e ujit.

Sipas të dhënave, për vitin 2020 për sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve kanë shkuar në total rreth 53 milionë euro financime për investime, një pjesë e tyre nga buxheti i shtetit por dhe nga financime të huaja, kryesisht përmes programit infrastruktura bashkiake për disa bashki të vendit.

Furnizimi me ujë 24 orë në ditë mbetet ende një sfidë, pasi sipas raportit të ERRU furnizimi me ujë pa ndërprerje ofrohet vetëm për 22 qendra urbane në të gjithë vendin, teksa synohet që brenda vitit 2023 të arrijë në 66 të tilla.

Në fund të vitit të kaluar, kohëzgjatja e furnizimit me ujë rezultonte mesatarisht 13.8 orë në ditë, ku me gjithë përmirësimin e treguesve në raport me 2019-ën, mbeten sërish në nivele të pakënaqshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA