Disa të vrarë nga shembja katastrofike e vinçit mbi dy ndërtesa në Kanada (fotot)

13/07/2021 21:05

Disa njerëz janë vrarë kur një vinç gjigand, i montuar në një ndërtesë shumë-katëshe është shembur dje në qytezën kanadeze të Kelowna, në rajonin British Columbia.

Disa punonjës ishin pranë vinçit kur ai u shemb, njoftonin autoritetet, pa dhënë detaje për sakta për viktimat. Kreu i policisë Adam MacIntosh tha se ende nuk ishin identifikuar të gjithë  viktimat, dhe një person është i humbur.

Më vonë në një konferencë shtypi, Jon Friesen, kreu i kompanisë që po ndërtonte kullën tha se viktimat ishin punonjës të një kompanie nënkontraktore që ishte pajtuar për të punuar në impjant.

Ai shtoi se ishte i shokuar nga aksidenti, në kohën e të cilit në impjant punonin rreth 100 persona.

“Ne të gjithë duam të shkojmë në shtëpi në fund të ditës së punës, por për fat të keq kjo nuk ndodhi për disa punonjës. Ata ishin në impjantin tonë dhe humbën jetën”.

MacIntosh tha se telefonatat e emergjencës për shembjen nisën të vinin rreth mesditës së të hënës, kur vinçi i montuar me ndërtesën 25 katëshe Brooklyn, në bllokun rezidencial Bernard Block, ra dhe goditi një ndërtesë më të ulët ngjitur, si dhe çatinë e një shtëpie kujdesi për të moshuar.

Në kohën e rënies vinçi ishte duke u çmontuar.

Masa e dëmeve ende nuk dihet tha MacIntosh, i cili shtoi se zona është ende e pasigurtë.

Në pamjet e regjistruara shiheshin pjesë të vinçit që shkëputeshin nga pjesa tjetër e trupit të tij. Një makinë ishte shtypur krejtësisht nga rënia e vinçit.

Tragjedia vjen dy ditë pasi një tjetër vinç u shemb në majë të një ndërtese në Toronto.

Kjo e fundit erdhi si rezultat i një gabimi me kundër-peshën e vinçit.

FOTO GALERI
1/6
Disa njerëz janë vrarë kur një vinç gjigand, i montuar në një ndërtesë shumë-katëshe është shembur dje

Top Channel