Gareth Southgate drejton Anglinë prej thuajse 5 vitesh (është emëruar më 27 shtator të 2016-ës) dhe arriti të shkruajë historinë me “tre luanët”, duke i çuar për herë të parë në finalen e një Kampionati Europian, por ende nuk ka arritur të fitojë një trofe për t’u mbajtur mend gjatë.

Rastin e radhës për të provuar, duket se do ta ketë vetëm një vit më vonë, me Kupën e Botës Katar 2022, teksa vetë tekniku 50-vjeçar shprehet se është i kënaqur me rritjen që kanë pësuar “tre luanët” dhe beson se mund të arrijnë diçka madhore.

“Skuadra ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit dhe këtë e konfirmojnë rezultatet, pasi më 2018-ën ishim të katërtët në botë, më 2019-ën të tretën në Europë në Nations League dhe tani e mbyllëm të dytët në Europian. Sigurisht që na mungon një trofe dhe duam të provojmë që në Kupën e Botës Katar 2022, pasi skuadra i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë në një kompeticion të tillë”, u shpreh Southgate.

Kontrata e trajnerit 50-vjeçar me Anglinë zgjat deri në përfundim të Botërorit të Katarit dhe Federata Angleze është shprehur e hapur për rinovimin edhe me dy vite të tjera, por vetë Southgate duket se ka dyshime.

“Fillimisht kam nevojë të pushoj dhe të reflektoj për atë që ndodhi në këtë Europian. Më pas do të mendojmë për eliminatoret e Kupës së Botës dhe Botërorin e Katarit. Të drejtosh vendin në nivele të tilla, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe ndoshta nuk duhet të marr përsipër më shumë sesa duhet. Megjithatë për momentin kam nevojë të pushoj dhe të kthjellohem”, tha trajneri i Anglisë.

Top Channel