Vetëm pak ditë pas rinovimit të kontratës, trajneri Diego Simeone merr një tjetër dhuratë nga drejtuesit e Atleticos së Madridit. Bëhet fjalë për mesfushorin argjentinas Rodrigo De Paul, që është prezantuar zyrtarisht si blerja më e re e Los Colchoneros.

Ish kapiteni i Udineses kishte spikatur me friulianët në sezonet e fundit dhe kishte tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, përfshi këtu edhe Milanin, Interin e Juventusin, megjithatë garën e fituan kampionët në fuqi të Spanjës.

Këta të fundit arritën pak ditë më parë marrëveshjen me Udinesen, për shifrën e 35 milionë eurove, plus 5 të tjera në formë bonusi, ndërsa zyrtarizimi erdhi vetëm pasditen e sotme, pasi De Paul ishte i angazhuar në Copa America, ku u shpall edhe kampion ditën e djeshme.

Fantazisti argjentinas e nisi karrierën te Racing dhe u transferua fillimisht te Valencia në 2014-ën, por pa arritur të lërë gjurmë. Verën e 2016-ës iu bashkua Udineses në Serinë A dhe nga sezoni në sezon, e rriti ndjeshëm nivelin e performancës në fushë, duke u bërë objekt dëshirash për shumë klube.

Tani De Paul do të provojë të shndërrohet në një lider edhe në formacionin e Atleticos së Madridit, ndërsa Simeone ka në dispozicion një mesfushor ashtu siç i pëlqen, luftarak dhe me shumë cilësi teknike.

Top Channel