Ditë feste për Kampionët e Europës, pas pritjeve zyrtare, shëtitje në rrugët e Romës

12/07/2021 23:42

Italia mbërriti mëngjesin e sotme në Romë, bashkë me trofeun e fituar në finalen e “Wembley”-t, teksa në orën 16:00 të pasdites, futbollistët dhe stafi teknik u pritën në pallatin Quirinale, ose rezidencën presidenciale të vendit.

Presidenti Mattarella nuk ngurroi të komplimentojë heronjtë e udhëhequr nga Roberto Mancini, të cilët arritën të shpallen Kampionë Europe, ndërsa fjalim mbajtën edhe kapiteni Chiellini e tekniku i Italisë.

Pas disa minutash në Quirinale, autobusi me Italinë Kampione Europe u drejtua për në pallatin Chigi, që është edhe rezidenca e kryeministrit Draghi, i cili gjithashtu priti heronjtë e Europianit dhe i komplimentoi për këtë arritje të madhe.

Ndërkohë, shëtitja e fundit e “të kaltërve” ishte mbi një autobus të zbuluar nëpër Romë, për t’u përshëndetur me të tifozët, të cilët do të zbarkojnë të shumtë në numër, nëpër rrugët e kryeqytetit italian.

Pas dështimit për të marrë pjesë në Botërorin 2018, Italia u ri-ngrit në mënyrë mjaft të shpejtë, falë një pune të jashtëzakonshme të Roberto Mancinit dhe ia doli të garojë denjësisht në Europian, duke ngritur lart për herë të dytë trofeun e më të mirës së kontinentit.

Top Channel