Dizajni italian ka lënë gjurmë të prekshme në Shqipëri, fillimisht nëpërmjet televizionit dhe arkitekturës. E më pas ka marrë trajta të ndryshme.
Kjo është një ekspozitë e vogël që na sjell disa nga punimet e interpretuesve dhe dizajnerëve të rinj, të talentuar italianë. Gjithçka lidhur me traditën por edhe me evolucionin e dizajnit deri në ditët e sotme.
Dizajni italian lind në lëvizje, eksperimental dhe avangardë, i jashtëzakonshëm në thjeshtësinë e tij, por edhe i arritshëm dhe i matur, karakteristika këto që i bëjnë produktet e tij të njihen menjëherë dhe të mbeten të përjetshme. Projektuesit e rinj italianë dëshmojnë vazhdimësinë që e bën dizajnin italian të famshëm në të gjithë botën.
“Jam shumë i lumtur të jem në këtë godinë të dizenjuar nga Gerardo Bosio. Këtu shihni dy objekte të miat. Një karrige lëkundëse dhe pasqyra. Janë prodhuar për botuesin e parë të dizajnit Indian. Quhet shkëlqimi i rrathëve. Nëpërmjet tyre çojmë para artin artizal Indian që prej pesë vitesh”, shprehet Matteo Cibic.
Sot një brez talentesh me shije të hollë, kuriozë, të aftë për t’u marrë me traditën dhe “mjeshtrat e mëdhenj” të së kaluarës, po i japin jetë një sezoni të ri të dizajnit italian, me krijime me një ndikim të fortë ndjellës që puqen me artin.
“Këtu kemi shtatë dizajnerë. Talente të rinj, jo vetëm në nivel kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtar. Qëllimi ishte t’i bënim të njohur këta dizajnerë në lindje, në këtë rast në Tiranë dhe Shqipëri”, thotë Elisabetta Pisu, kuratore.
Pasion, traditë, inovacion dhe mbi të gjitha lavd ngadalësisë, punimit ‘handmade’, cilësisë mbi sasinë, këto tipare përvijojnë “Made in Italy” të sotëm, si një burim i domosdoshëm i ekonomisë italiane.
Top Channel