Southgate vlerëson kundërshtarin: Italia fenomenale, na pret një mision i vështirë

10/07/2021 00:31

Anglia shkroi historinë, duke arritur për herë të parë në finalen e një Kampionati Europian, teksa trajneri Southgate vlerëson maksimalisht Italinë kundërshtare, por thekson se dëshiron që “tre luanët” të rrëmbejnë edhe trofeun të dielën në mbrëmje.

“Italia është një skuadër shumë e mirë dhe fakti që ka luajtur 10 finale mes Europianit e Botërorit, e bën edhe më të jashtëzakonshme. Mancini ka bërë një punë të jashtëzakonshme, pasi jo vetëm që kanë fituar shumë ndeshje, por pësojnë edhe pak gola. Ne kemi detyrën ta çojmë deri në fund misionin tonë historik dhe do të përballojmë kundërshtarin me entuziazëm dhe shumë dëshirë për të bërë mirë”, deklaroi trajneri Southgate.

Atmosfera në Angli është e jashtëzakonshme, teksa tifozët festuan gjatë arritjen në finale, por në të njëjtën kohë janë duke u përgatitur për një tjetër mbrëmje magjike në “Wembley”, ku do të synojnë një festë edhe më të madhe.

“Të dëgjosh “Wembley”-n që ushton, por edhe gjithë vendin, është diçka e jashtëzakonshme. Nuk mund të isha më i lumtur, sesa të drejtoj përfaqësuesen e vendit tim dhe të provoj t’i bëj njerëzit të lumtur, në një moment të vështirë. Është një ndjesi vërtetë speciale”, deklaroi trajneri anglez.

Top Channel