Pas Jose Mourinhos ishte radha e Maurizio Sarrit. Derbi në distancë vazhdon me trajnerin e ri të Lazios që u prezantua në Formello. Ish trajneri i Juventusit doli para mediave në praninë e drejorit sportiv të bardhekaltërve shqiptarit Igli Tare. Edhe pse gazetarët e krahasojnë me Mourinhon, Sarri është me këmbë në tokë dhe nuk e vendos veten në të njëjtin nivel me portugezin.

“ Nuk shikoj një ngjashmëri të madhe mes meje dhe Mourinhos. E kam njohur, është një personazh karizmatik i cili më pëlqen. Jose ka fituar shumë më tepër se unë dhe ka një palmares të gjatë, por kjo nuk do të thotë asgjë pasi në derbi do të hymë në fushë vetëm për të fituar”.

Sarri e ka të qartë sesi dëshiron të jetë Lazio e tij në sezonin e ri.

“ Dua të shikoj në fushë një skuadër që jep shpirtin në stërvitje dhe sakrifikon shumë gjatë javës që më pas të argëtohemi dhe të dominojnë kundërshtarin në fundjavë. Mundësitë për ta bërë diçka të tillë i kemi dhe ky është një nga motivet që unë jam këtu. Te kjo skuadër i kam të gjitha mundësitë të zhvillohen më shumë si trajner pasi Lazio i përshtatet futbollit që unë aplikoj”.

Gjatë gjithë këtyre viteve me Simone Inzaghin në stol, Lazio ka luajtur me skemën 3-5-2 por me Sarrin diçka do të ndryshojë , ndërkohë që trajneri foli edhe për objektivat në Europë dhe kampionat.

“ Objektivi është ta nisim sezonin me skemën 4-3-3. Të shikojmë se cilët do të jenë anësorët që do të kem në dispozicion. Përsa i përket sulmit për mua nuk është problem të aktivizoj një djalë të ri në këtë repart. Europa League? Mendoj se në Europë duhet të japim gjithmonë maksimumin. Titulli kampion? Për Scudetton të shohim. Nis një cikël i ndryshëm, do të luajmë me një skemë tjetër dhe do të përpiqemi të mbetemi kompetitivë dhe me kalimin e kohës do të provojmë të përmirësohemi”.

Top Channel