Nga kultivimi i drogës, tek drejtimi i automjetit në gjendje të dehur/ Policia aksion në Vlorë, 6 të arrestuar

10/07/2021 12:28

6 persona janë arrestuar, 3 prej të cileve të shpallur në kërkim më parë, si rezultat i një aksioni të ndërmarrë nga policia e Vlorës.

Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” shtetasi S. M., 48 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa si dhe në ambientin përreth banesës së tij, u gjetën të kultivuar fidanë cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit Xh. Rr., 28 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhje me pasoja të rënda, e kryer në bashkpunim”.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor I. B., 24 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka qenë i punësuar në një lokal ka marrë një shumë parash.

Gjithashtu nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Sarandë, u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim L. B., 29 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, shtetasin G. B., 48 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një subjektin në pronësi të tij, u konstatua rilidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin K. B., 25 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Goditi me sende të forta një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë shpallur në kërkim policor shtetasin S. H., 26 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në Llogara, në afërsi të një lokali, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka kanosur dhe goditur me sende të forta (shkop bejsbolli) shtetasin K. K., si dhe i ka dëmtuar mjetin, të cilin ky shtetas drejtonte.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel