Gati për Eurobondin e 5-të/ Ekspertët: Qeverisë i bie më mirë për të marrë borxh jashtë se sa brenda vendit

10/07/2021 19:48

Qeveria shqiptare po bëhet gati të dalë në tregjet ndërkombëtare për emetimin e eurobondit tw pestw në muajt e parë të vitit 2022.

Eksperti për tregjet financiare Elvin Meka shpjegon se pavarësisht se tregu i brendshëm është likuid, ekzekutivi po shfrytëzon situatën në tregjet e huaja duke synuar interesa më të favorshme për të siguruar borxhin më lirë.

“Ajo që shikoj është se qeveria po tenton të vendosë një balancë mes borxhit të brendshëm dhe të jashtëm . Synohet të arrihet një lloj baraspeshe sa i përket kursit të këmbimit. Qeverisë me lëvizjet e fundit i bie më mirë të marrë borxh jashtë se brenda duke shfrytëzuar interesat më të favorshme, i intereson dhe i shkon për shtat kostot së ulët të shërbimit të borxhit.” 

Por, cilët janë skenarët sipas ekspertit Meka që mund të përdorë qeveria për shërbimin e këtij eurobondi me vlerë 500 milionë euro?

“Një pjesë e borxhit mund të shkojë për shlyerjen e borxhit të vjetër. Një pjesë tjetër për mbulimin e ekzigjencave dhe nevojave që ka buxheti për detyrimet në monedhë të huaj, që mund të jenë PPP-të që janë në monedhë të huaj dhe qeveri shqiptare me të drejtë i drejtohet tregut të jashtëm. Pjesa tjetër nëse mbetet mund të hidhet në tregun e brendshëm por kjo mund të rrisë presionin e kursit të këmbimit.” 

Aktualisht, Financat janë duke kërkuar menaxherin që do të udhëheqë vendin në emetimin e këtij eurobondi ne tregjet e kapitalit, përmes të cilit synohet një afat maturimi 7-10 vite.

Top Channel