Në portin e Sarandës, ende nuk kanë mbërritur tragetet nga Korfuzi, pavarësisht se u njoftua për rikthimin e udhëtimeve që prej 1 korrikut.

Një javë më parë, nisi lëvizja nga Saranda në Korfuz, por sërish nuk ka udhëtime për itinerarin e kundërt, pra nga Korfuzi në Sarandë. Nga tetë tragete, aktualisht funksionon vetëm një prej tyre.

Për pasojë, shumë qytetarë, janë përballur në kufi me mungesën e tragetit, me të cilin kanë prerë biletat.

Ermal Fidhi u nis nga Gjermania për të shkuar në vendlindjen e tij, në Sarandë nëpërmjet linjës së tragetit Korfuz-Sarandë. Por, siç thotë ai, në një lidhje direkte për edicionin informativ në Top Channel, ka ngecur në Igumenicë, bashkë me familjen.

Jemi nisur nga Gjermania, si çdo vit, për të ardhur me pushime në Shqipëri. Kemi zgjedhur Korfuzin sepse është pika më e afërt e kalimit. Kishim prerë biletat, kishim mbyllur të gjitha gjërat. Thanë që në datën 1 do të hapej.

Kemi që dje që nuk po lëvizim dot. Sot morëm vendimin të ikim në Igumenicë, të kalojmë më pas në Qafë Botë. As aty nuk e dimë nëse janë të hapura. Ne pamë që ishte hapur trageti i linjës dhe ishte dy herë në ditë. Dhe do e bënim si çdo vit, për të shkuar në shtëpi.
Tani kemi ngelur në ishull. Do ikim në Igumenicë në rrugë tokësore, pastaj do të marrim taksi”.

Ermal Fidhi thotë se si familja e tij, ka shumë të tjerë që po përballen me këtë situatë të papritur.
Zgjedhim Korfuzin sepse është 30 minuta larg nga Saranda. Ne i kemi mbyllur biletat gati tre muaj para. Kjo gjë duhet të ketë një zgjidhje, si puna jonë, ka shumë të tjerë”.

Top Channel