“SHÇBA të veprojë ndaj korrupsionit”/ Rama: E pajustifikueshme mungesa e etikës së efektivëve në raport me qytetarët!

08/07/2021 10:27

Kryeministri Rama në takimin që po zhvillon ditën e sotme me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtues të Policisë së Shtetit, ngriti problematikën e mungesës së etikës në radhët e uniformave blu.

Sipas tij, mungesa e etikës është një fenomen në rritje e sidomos në radhët e Patrullave të Përgjithshme dhe forcës Shqiponja.

Në fillim të fjalës së tij, Rama paralajmëroi lëvizje të tjera në Policinë e Shtetit, teksa tha se do të ketë lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, deri në nivelin e komisariateve.

Ai ka evidentuar si problematikë fenomenin e ryshfetit, duke kërkuar nga SHÇBA që të hetojë këta raste.

Një pjesë nga fjala e Kryeministrit Rama:

Duke shpresuar që këto lëvizje që do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë, deri në nivelin e komisariateve, të vlejnë për një rienergjizim të domosdoshëm, në një fazë të re ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i policisë së shtetit.

Policia sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj, por pikërisht pse ka dhënë provën që në këtë vend mund të ketë një polici shtetit të standardeve europiane dhe pritshmëria dhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria nga njëra anë lidhet me domosdoshmërinë që policia si të gjitha strukturat e tjera të shtetit të ecin më shpejt dhe të japin rezultate në çdo hap, pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë dhe dua ta nis këtë renditje të problematikave nga raporti i policisë së shtetit me qytetarët, që është A dhe ZH e jetës së përditshme të policisë.
Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e forcave shqiponja dhe patrulla e përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjie dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarëve.

Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar në këto vite i Policisë së Shtetit në sytë e qytetarëve nuk mund të cenohet e aq më pak të lëndohet duke afektuar gjithë policisë e shtetit në optikën e opinionit publik. Ky është edhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore, që shenjtërinë e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre.

Policia e Shtetit është botërisht e shikuar dhe e respektuar si një ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë dhe cenimet etike si dhe lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël, sidomos te rrugoret, janë të patolerueshme.

Dua të vlerësoj rolin e SHCBA dhe njëkohësisht ta nxis publikisht SHCBA që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne kemi rritur edhe në harmoni me pritshmërinë e qytetarëve rolin ndëshkues të policit rrugor, ndaj shkeljeve në rrugë. Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve, për qëllimin e neveritshëm të përfitimit të ryshfetit. E patolerueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor, qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit.

Strukturat e policisë dhe SHCBA konstatojnë se në komisariate rastet e denoncime të qytetarëve nuk trajtohen në kohën e duhur, sot kur ne jemi tanimë në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë përmes individësh të padenjë që ti shkojë kundra detyrimit të të gjithëve bashkë, të çdo strukture, për ti pritur dhe për ti sajdisur të gjithë pushuesit sipas traditës shqiptare, dhe standardeve të një vendi që pretendon të bëhet kampion turizmi në Ballkan.

Top Channel