Donnarumma, Wijnaldum, Hakimi, Sergio Ramos… Pogba. Paris Saint Germain nuk ka ndërmend të ndalet në merkato dhe pasi ka kompletuar katër afrime të bujshme, do të provojë të sjellë në “parkun e princave” pikërisht mesfushorin francez.

Al Khelaifi është i fiksuar pas triumfit në Ligën e Kampionëve dhe nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë, ndaj po shfrytëzon situatën e vështirë ekonomike në shumë klube, për të sjellë më të mirët në dispozicion të trajnerit Pochettino.

Sipas “L’Equipe”, drejtuesit e PSG-së kanë folur me Mino Raiolën për mundësinë e transferimit të Pogba në Francë dhe kanë marrë informacione nga ky i fundit se marrëveshja mund të mbyllet për shifrën e 80 milionë eurove, duke qenë se Manchester United dëshiron ta shesë këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero verën e ardhshme.

Ndërkohë, Al Khelaifi ka urdhëruar që drejtuesit të pastrojnë organikën nga një grup futbollistësh si Rafinha, Icardi, Paredes, Sarabia, Herrera, Diallo, Kurzawa, Kehrer, etj., të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e klubit.

Synimi është që me shitjen e këtyre futbollistëve të sigurohet një pjesë e mirë e parave që duhen për blerjen e Pogba, ndërsa ky i fundit duket vërtetë i joshur për të qenë pjesë e një formacioni yjesh, me emra si Donnarumma, Ramos, Hakimi, Verratti, Neymar e Mbappe.

Top Channel