Në Wembley, pas 120 minutave betejë për të vendosur finalisten e parë të Europianit, u deshën penalltitë. Në fund fitoi Italia, falë gabimeve të Dani Olmo dhe Moratta , që zhvlerësuan atë të Locatellit, që i cili e nisi serinë i pari si mos më keq. Por penalltitë, dihet janë një histori më vete. Dikush i quan llotari dhe nuk është kështu, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për fat.

Duhet përgatitje, shumë forcë mendore dhe gjakftohtësi. Si ajo e Jorginhos që penalltinë e fundit e gjuajti me ngadalësim me Unai Simon që ishte hedhur në cep dhe nuk mund të bënte tjetër vecse të shihte topin të shkonte në rrjetë në krahun tjetër. Por për të gjeneruar polemikat mendon Pique.

Mbrojtësi spanjoll që i tha lamtumirë kombëtares pas Botërorit 2018, nëpërmjet Twitter akuzon se Italia u favorizua në një farë mënyre teksa shkruan. “Nuk është rastësi që në të katërta sfidat që kanë përfunduar me penallti në Euro 2020 dhe në Copa America, ka fituar gjithmonë skuadra që ka goditur e para. Statistikat thonë se ai që gjuan i pari ka më shumë mundësi dhe nuk besoj se është e drejtë që në një kompeticion të tillë shorti të të garantojë avantazhin”.

Polemika është sërvirur dhe dikush përgjigjet, “çfarë të bëjmë atëherë, të gjuajmë të gjithë njëherazi , mundësisht një skuadër në njërën portë dhe tjetra në tjetrën”, natyrisht me ironi. Gjithsesi teoria e Pique u përgënjeshtrua vetëm pak orë më vonë nga gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës. Edhe Kolumbia dhe Argjentina e përfunduan ndeshjen e tyre me penallti, dhe ata që nisën ti gjuajnë të parët ishin Los Cafeteros, por në finale shkoi Messi me shokë, pavarësisht se ai që gjuajti penalltinë e parë ishte Cuadrado.

Top Channel