Partizani e shndërron në festë ndeshjen e parë në Conference League me të kuqtë që ndoshta kanë prerë dhe një gjysmë bilete për në raundin tjetër falë një 5-2 që lë pak vend për intepretim. Ndaj moldavëve të Sfitilul Ghoerghe shkëlqeu mbi të gjitha Stenio Junior, që shënoi dy gola dhe dhuroi 3 asist në një mbrëmje të tërën braziliane për të kuqtë.

Ndeshja nuk pati pothuajse fare histori, teksa në “Elbasan Arena” me rikthimin dhe të tifozëve në tribuna ekipi i Dajës ishte i papërmbajtshëm e sidomos Stenio Junior që në të 17-tën shërbeu për golin e epërsisë për bashkombasin e tij Lucas. 9 minuta më pas Stenio Junior u ngjit dhe vetë në piedestal duke realizuar dhe golin e 2-0.

Rezultati në këtë fraksion mund të kishte qenë më i thellë për Partizanin, por në fakt në pushim u vajt me shifra të ngushtuara pas një 11-metërshi të akorduar në favor të moldavëve që e shndërroi në gol Vokov. Në pjesën e dytë Stenio Junior vazhdoi shfaqjen personale duke shënuar dhe golin e dytë personal e duke bërë më të plotë dominimin e të kuqve.

Ndërkohë që të 78-tën braziliani shërbeu një tjetër asist për Tedi Carën që përballë një veprimi amator të moldavëve realizoi dhe golin e 4-1. U mendua se fitorja e të kuqve ishte dominuese por goli i Solodocnicov në të 80-tën pas një gabimi të Hoxhës u duk sikur riktheu në garë miqtë, por Junior mendoi dhe njëherë të mbylltë llogaritë duke shërbyer për Lucas Cardozon, për golin e dytë personal në këtë mbrëmje.

Një 5-2 që le pak vend për interpretim për ndeshjen e kthimit me të kuqtë që vështirë se do të ngecin përballë këtij kundërshtari duke patur një epërsi prej dy golash për momentin.

FOTO GALERI
2/41

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA