Një shpërthim i fuqishëm trondit Dubain, porti në flake (PAMJET)

08/07/2021 12:47

Një anije mallrash e ankoruar në njërin prej porteve më të mëdha të botës në Dubai, u përfshi nga flakët pas një shpërthimi që tronditi qytetin e famshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Flakët gjigante në portin Jebel Ali, një ndër më të ngarkuarit në Lindjen e Mesme, shkaktuan panik, por autoritetet thonë se tani situata është vënë nën kontroll.

Sipas zyrtarëve vendas, nga incidenti nuk pati viktima. Megjithatë pasojat e tij nuk ishin të vogla: lëmshi i zjarrtë bëri që një valë e nxehtë të përplasej mbi qytet, duke lëkundur ndërtesa e duke thyer xhama në lagjet që shtrihen deri në 25 km nga porti. Shkaku i shpërthimit nuk është zbardhur ende.

Porti i Jebel Ali është një ndër strehët kryesore për luftanijet amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara. Autoritetet vendore po bëjnë c`është e mundur që lëvizja e anijeve atje të mos bllokohet, por të vazhdojë pa probleme. Sipas tyre, ky është një incident që mund të ndodhë kudo në botë, ndërsa janë përpjekur të fashisin zërat mbi shkaqet e tij duke thënë se për një tablo më të qartë, do të pritet rezultati i hetimit.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel