Gruaja vritet nga ariu i murrmë/ E nxorri natën nga tenda e kampingut ku flinte (fotot)

08/07/2021 18:12

Një grua është vrarë nga një ari i murrmë i cili e nxorri nga tenda e kampit në mesin e natës në Montana, SHBA.

65 vjeçarja Leah Davis Lokan, nga Kalifornia, ishte në një ekskursion të distancave të gjata me biçikletë dhe kishte ndaluar në qytetin e Ovando ku dhe gjeti vdekjen të martën, njoftonin autoritetet vendore të parqeve dhe botës së egër.

Lokan u sulmua në vizitën e dytë të ariut në vendndodhje, ku ajo bashkë me të çiklistë të tjerë kishin ngritur kampin pranë zyrës së postës.

Ariu afro 180 kilogramësh kishte ardhur fillimisht rreth orës 03.00 të mëngjesit i ndjellë nga era e ushqimit, duke zgjuar turistët, të cilët më pas larguan ushqimet nga tendat dhe i siguruan në një tjetër vend dhe u kthyen për të fjetur.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin se ariu u rishfaq në vendndodhje rreth 15 minuta më vonë, kur kishte nisur sulmin e tij.

Policia mori thirrjen e emergjencës rreth orës 04.10. Anëtarët e kampit kishin spërkatur kafshën me spraj kundra arinjve duke e detyruar të largohej, por jo para se të linte Lokan me plagët fatale.

Grupet e shpëtimit dhe një helikopter ambulancë erdhën në skenë por nuk arritën të shpëtojnë jetën e Lokan.

Zyrtarët kishin kërkuar për ariun e murrmë por nuk e kishin lokalizuar.

Autoritetet thanë se nëse gjendet, kafsha do të vritet. Sulmi ishte diçka e rrallë për komunitetin, raportonin banoret.

Lokan ishte një infermiere në spitalin e Chico, dhe kryente shpesh ekskursionet me biçikletë në Montana, tha mikesha e saj Mary Flowers.

Top Channel