“Do festonte ditëlindjen, e futa në dhe”/ Shpërthen në lot babai i 29-vjeçares që vdiq 5 ditë pas lindjes

08/07/2021 13:42

29-vjeçarja, Ardita Muça, nuk mundi që t’i gëzohej ardhjes në jetë të fëmijës së dytë. E reja humbi jetën të hënën më 5 korrik, pesë ditë pas lindjes së djalit në Spitalin e Durrësit.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, familjarët e 29-vjeçares nga Shkallnuri, akuzojnë mjekët për fatin e saj tragjik.

Ata e përshkruajnë Arditën si një vajzë të fortë dhe të shëndetshme. Ndërsa drejtësisë i bëjnë apel për vendosjen para përgjegjësisë së autorëve. Të afërmit e të ndjerës thonë se autoambulanca mbërriti me vonesë dhe nuk kishte mjetet e duhura për t’i ardhur në ndihmë vajzës.

Familjarët e 29-vjeçares kanë paditur në polici mjeken, Migena Prifti, që asistoi në lindjen e së ndjerës. Sipas tyre, mjekja ka bërë mjekim të pakujdesshëm dhe nuk ka injektuar hollues gjaku para lindjes.

Babai i të ndjerës, Eduart Hersi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Shqipëria Live”, ku u shpreh se e kishte gocën si “kokrra e mollës”.

“Ka patur hemorragji të brendshme, nga erdhi? Pse e nxorën nga spitali pas dy ditësh? Nuk më ka treguar gjë nëse ka patur shqetësime. Edhe kur ka dalë nga spitali e pyeta si je, mirë më tha. Kam dhimbje barku më ka thënë. I thashë shko në spital, e tha se do ikte pas dy ditësh edhe për të vizituar djalin”, tha zoti Hersi.

Ky i fundit shton se të nesërmen i ka ndërruar jetë e bija. Ai shton se si prind, mendon se përgjegjëse për vdekjen e saj është doktoresha.

“Nuk duhej të ma nxirrte gocën për dy ditë. Po të ishte fëmija i vet a do e nxirrte? Kurrë. Lek ka marrë, të gjitha i ka marrë. Unë bëj drejtësi vetë, por nuk dua. Dua që të mos i ndodhë dikujt tjetër ajo që i ndodhi vajzës sime. Ajo sot bënte 29 vjeçe, e në vend që të festoja ditëlindjen, e futa në dhe”, shpërthen në lot babai i së ndjerës./SHQIP/

FOTO GALERI
1/6

Top Channel