Arktik/ Përplasjet me perëndimin, bombarduesit rusë lëshojnë breshëri raketash cruise

08/07/2021 15:02

Rusia lëshoi një breshëri raketash cruise në Arktik në lojën më të fundit të luftës nga forcat bërthamore të Vladimir Putin.

Stërvitjet ushtarake, ndër më të mëdhatë në rajon, përfshinin bombarduesit strategjikë Tu-160 dhe Tu-95MS.

Rusia tregoi muskujt vetëm pak pas incidentit me destrojerin e marinës britanike dhe stërvitjet e Natos në Detin e zi. Bombarduesit lëshuan raketa të teknologjisë së lartë e goditën me sukses shënjestrat në tokë, njoftuan forcat ajrore ruse të cituara nga shtypi britanik. Avionët u ngritën në ajër nga një fushë ajrore në rajonin e Saratovit e mbuluan një distancë prej më shumë se 4,000 km.

Tu-160, i njohur dhe si “Mjelma e Bardhë”, është një bombardues bërthamor strategjik, më i rëndi i avionëve luftarakë dhe më i shpejti në përdorim sot. Ai ka hyrë në shërbim që prej vitit 1987. Tu-95 nga ana tjetër, i njohur ndryshe si “Ariu”, ka fluturuar për herë të parë në 1952. Rusia ka ndërmend ta përdorë të paktën deri në 2040-tën.

Stërvitja vjen më pak se dy javë nga incidenti madhor pranë brigjeve të Krimesë, kur Moska pretendoi se një pilot i saj lëshoi bomba paralajmëruese në rrugën e luftanijes britanike HMS Defender.

Top Channel