Teatër qesharak në stadiumin “Pecara” të Bosnjës, me protagonist absolut arbitrin rus Matyunin, që bëri një performancë amatore me gjykimin në Siroki Brijeg-Vllaznia, aty ku vendasit triumfuan me rezultatin 3-1.

Shkodranët u rikthyen të luajnë në Europë pas plot 10 vitesh mungesë dhe e nisën vrullshëm sfidën, duke kërcënuar dy herë portën e boshnjakëve, por pa arritur të gjejnë rrjetën. Siroki reagon pas 5 minutave të para dhe fillon të fitojë terren e t’i afrohet golit, i ndihmuar edhe nga arbitrimi qesharak i rusit Matyunin, që ndëshkon shkodranët me karton të verdhë për çdo faull që ata bëjnë dhe nuk përdor të njëjtin metër për vendasit, pasi lë pa ndëshkuar disa të rënda.

Në minutën e 42-të rusi vërshëllen një penallti për vendasit, për një faull të Gurishtës në zonë, të cilin duket se e pa vetëm kryesori, ndërsa nga pila e bardhë shkoi kapiteni boshnjak Staniç, i cili shënoi edhe golin e avantazhit. Pjesa e dytë nis sërish nën diktatin e arbitrit rus, që akordon një tjetër penallti për vendasit, edhe më qesharake se e para, duke provokuar protesta të ashpra të shkodranëve, por pa vlerë, pasi Staniç shënon edhe golin e dytë.

Shfaqja e turpshme e kartonëve vazhdon, me rusin që ndëshkon plot 10 futbollistë të Vllaznisë, si dhe trajnerin Brdariç e ndihmësin Plori, por në pjesën e dytë nuk i shpëtojnë të verdhës as 4 lojtarë vendas. Nga një faull i dyshimtë në mesfushë, i shoqëruar me karton për sulmuesin Djurdjeviç, lind edhe goli i tretë i vendasve, që shfrytëzojnë një vendosje të keqw të mbrojtjes shkodrane dhe shënojnë golin e tretë në minutën e 77′.

Skenat qesharake nuk kanë të mbaruar, pasi arbitri i katërt akordon me tabelë një zëvendësim për Sirokin, me Ikiç që afrohet pranë vijës ngadalë, por para se të dalë, vendasit ndryshojnë mendje dhe vazhdojnë lojën, ndërsa për Matvyunin nuk ka asgjë anormale. Një minutë më vonë, arbitri i katërt sinjalizon sërish zëvendësimin e Ikiç, por ky i fundit injoron tabelën dhe nuk lëviz vendin, e ndërsa Krymi i tërheq vëmendjen arbitrit për atë që po ndodh, rusi i tregon kartonin e kuq mesfushorit shkodran.

Nuk e mbajnë nervat as trajnerin Brdariç, që reagon ashpër dhe dërgohet para kohe në tribunë, duke komplikuar gjithçka, teksa dëshpërimi në fytyrën e shkodranëve tregonte më së miri për atë që po ndodhte në fushë. Gjithsesi një rreze shprese erdhi pikërisht në shtesë, teksa pas një aksioni të shpejtë, Çoba dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar një gol me shumë peshë, pasi ka ringjallur shpresat e shkodranëve për kualifikim në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, gjithmonë nëse nuk do të jetë rusi Matyunin si arbitër.

Top Channel