Afganistani mund të përfshihet në luftë civile, paralajmëron gjenerali britanik

08/07/2021 16:52

Kreu i forcave të armatosura të Britanisë së Madhe paralajmëroi se ekziston mundësia që Afganistani të përfshihet në një luftë civile derisa trupat e huaja po largohen.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Nick Carter, tha se mund të ndodhë që pa praninë e forcave të huaja atje, pushteti afgan të rrëzohet.

“Afganistani mund të përballet me një situatë siç ishte lufta civile në vitet 1990 dhe forcat e sigurisë mund të ndahen përgjatë vijave etnike, ose fisnore”, tha Carter.

Sipas tij, nëse kjo do të ndodhte, talibanët do të kontrollonin një pjesë të vendit, por jo gjithë territorin e vendit.

E gjithë bota ka drejtuar sytë kah Afganistani pasi forcat e huaja po tërhiqen nga ai vend.

Talibanët po shtrijnë kontrollin në shumë pjesë të vendit duke mposhtur forcat qeveritare.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, tha të enjten se vendi i tij po përballet me një tranzicion të vështirë ndërsa trupat amerikane përfunduan tërheqjen e tyre, por këmbënguli që forcat qeveritare kanë kapacitet për të luftuar me talibanët.

“Ajo që po shohim është një nga fazat më të komplikuara të tranzicionit”, tha ai në një fjalim në Kabul.

Misioni ushtarak 20-vjeçar i NATO-s në Afganistan ka mbaruar, por dhuna në këtë vend vazhdon të rritet, pasi çdo ditë raportohet për luftime mes forcave qeveritare dhe talibanëve.

Sipas një marrëveshjeje me grupin militant, të arritur në Doha, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s kanë rënë dakord që t’i tërheqin të gjitha trupat, në këmbim të angazhimit të talibanëve për të mos lejuar Al Kaidën ose ndonjë grup tjetër ekstremist, të veprojë në zonat që ata kontrollojnë.

SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA