Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka marrë pjesë në konferencën “forcimi i drejtësisë penale nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”.

Në fjalën e saj, Kim tha se qytetarët shqiptarë janë duke pritur edhe më shumë operacione si këta të fundit ku në fokus kanë qenë zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën.

Yuri Kim: Kënaqësi që jam këtu, duke ju përgëzuar juve dhe të gjithë prokurorëve që janë duke punuar për popullin shqiptar. Ky është moment i rëndësishëm dhe të gjithë i kanë parë lajmet. Ajo që jemi duke parë është rezultat i një pune të gjatë, të vështirë. Orë të tëra duke kaluar dhe duke parë faktet sipas rastit. Faleminderit që më keni ftuar për të parë përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër krimit. Ju e dini më mirë se unë, unë jam e huaj. Të gjitha institucionet duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar besimin e publikut në drejtësinë penale.

Veprimet që kemi dëshmuar në javët e fundit, madje në vitin e fundit, që kur janë ngritur institucionet e reja, kanë ngritur besimin e qytetarëve. Ngritja e këtyre institucioneve, është me rëndësi. Ky është çast i rëndësishëm. Sistemi është funksional. Por nuk është ende në majë të performancës, për shkak të mungesës së personelit dhe të mungesës së besimit.

Falënderoj prokurorët që po punojnë  në emër të popullit shqiptar. Qytetarët po presin më shumë  operacione si këto të fundit. Të gjitha institucionet  e drejtësisë duhet të punojnë së bashku. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë përpara, ky është një çast i rëndësishëm. 

Top Channel