Shqipëria në Këshillin e Sigurimit/ Rama: Kemi axhendë reale. BE po dështon të respektojë vlerat e shenjta

07/07/2021 01:35

Pas 65 vitesh anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria në një votë historike ka fituar vendin e saj në tryezën e Këshillit të Sigurimit për një mandat dy vjeçar. Këtë arritje kryeministri Rama e quajti suksesin më të madh të diplomacisë shqiptare.

“Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare. Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë, për të besuar e punuar më shumë, që Shqipëria të bëhet më shpejt, ajo që me siguri do të bëhet një ditë”- tha Rama.

Në fjalën e tij kryeministri u ndal dhe tek integrimi evropian ku u shpreh se BE po dështon të respektojë vlerat që i mban të shenjta:
“Sepse, nëse nuk do të ishte që vlerat universale të ishin një sfidë dhe për vetë BE, sot Kosova nuk do të ishte e penguar në lëvizjen e lirë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të ishin ende në pritje për marrjen e një date për konferencën e parë ndërqeveritare në Zoom. Vetë Ballkani nuk do të ishte i ndarë deri dhe tek vaksinat kundër vdekjes nga BE”, tha kryeministri Edi Rama.”

Në pozicionin e ri në OKB, Rama u shpreh se Shqipëria nuk shkon vetëm për të mbushur karrigen por me një axhendë reale.

“Së pari do të fokusohet në çështjet e barazisë gjinore, pasi është i renditur në 10 vendet e para në botë sipas një raporti të OKB-së, për sa i përket barazisë gjinore në qeverisë.
Shkojmë në Komisionin e Sigurisë nga një Rajon që ka dhënë mësimin se të drejtat e njeriut janë shtyllat e pashmangshme të platformës që ndërton shoqëri më të mira. Nga ana tjetër Shqipëria ka të drejtën që të dëgjohet kur vjen puna për tolerancën e plotë fetare dhe për harmoninë mes besimeve të ndryshme.”

Kryeministri nuk la pa përmendur dhe angazhimet e tjera të axhendës nga lufta për ndryshimin klimatik deri tek ndëshkimi i antisemitizmit dhe diskriminimin e myslimanëve.

Top Channel