Hidhet nga ballkoni prej frikës/ Humb jetën 24 vjecarja në Durrës pas sherrit me bashkëshortin

07/07/2021 15:10

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar te Durrësit. Në tentativë për t’i shpëtuar  dhunës bashkëshortore, një grua 24-vjeçare është hedhur nga ballkoni i shtëpisë së saj në katin e tretë.

Ngjarja ndodhi natën e kaluar në zonën e ish-kënetës ku familja e ardhur nga Librazhdi banonte. Sipas hetimeve të para, 24-vjeçarja, nënë e një djali të mitur, u hodh nga ballkoni, gjatë një konflikti për motive të dobëta me bashkëshortin, i cili më pas siç tregojnë dhe fqinjët ka nxituar ta dërgojë më pas në spital.

Policia arrestoi në flagrancë bashkëshortin e viktimës, Alfred Gjinin 31 vjeç. Fqinjë dhe të afërm të çiftit Gjini shprehen se nuk kanë qenë në dijeni që marrëdhëniet mes bashkëshortëve ishin të acaruara, përkundrazi.

Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësisë penale të bashkëshortit, ndërsa një rol kyç mendohet të ketë dhe nëna e të arrestuarit që jetonte me ta në vilën 4-katëshe, të ndërtuar nga 4 djemtë e saj në lagjen periferike të Durrësit.

Top Channel