Gjenerali Clark rikthehet në Kosovë/ Drejtoi operacionet e NATO-s gjatë ndërhyrjes në ish Jugosllavi

07/07/2021 19:49

Tri vjet nga vizita e fundit, gjenerali i pensionuar amerikan Wesley Clark ka vizituar sërish Kosovën, për të cilën tha se po shënon hapa mbresëlënës drejt demokracisë.

Clark u prit me nderime ushtarake, derisa vizita e tij po bëhet në kohën kur shprehu vullnetin për ta ndihmuar Kosovës përmes këshillave për veprime ushtarake e diplomatike për zhvillimin Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jam i nderuar të jem këtu dhe të rikthehem në Kosovë. Kjo është mundësia e parë që kam pasur për ta vizituar këtë ministri. Jam i impresionuar. Gjatë viteve kam parë përparimin e Kosovës, është një marsh mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë dhe shpresoj edhe për rritjen e prosperitetit ekonomik për popullin e Kosovës”

Ndërsa ministri Mehaj, e vlerësoi gjeneralin e njohur “hero” të popullit të Kosovës.

Gjatë ditës, Clark do të takohet edhe me përfaqësuesit e tjerë të shtetit si presidenten, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë.

Top Channel