Ilustruese

Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 26-vjeçar, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër person, pasi akuzohen se janë autorë të 10 vjedhjeve të kryera në këtë qytet.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Shëtitësit e natës” u arrestua shtetasi D. B., 26 vjeç, banues në Laç, si dhe shpall në kërkim shtetasi E. D., 29 vjeç, banues në Rrëshen.

“Këta shtetas, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 06.07.2021, në Vorrozen, Kavajë, kanë vjedhur makinën në pronësi të shtetasit S. B., e cila u gjet dhe u sekuestrua në Fushë-Gjormë, Laç. 

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajve maj, qershor dhe korrik, këta shtetas kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 9 banesa, konkretisht:

Më datë 27.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit I. P.; më datë 22.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. Ç.; më datë 22.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit N. K.; më datë 17.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. Sh.; më datë 17.06.2021 kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit G. B.; më datë 16.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Sh. C.; më datë 14.06.2021 kanë vjedhur në banesat e shtetasve V. H. dhe K. Ll; më datë 03.07.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Z. Ç.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave, të kryera nga këta shtetas”, njofton Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Top Channel