Dy raste të kultivimit të kanabisit në Berat/ arrestohen 2 persona 1 nën hetim

07/07/2021 15:10
Foto ilustruese

Dy raste të kultivimit të kanabisit janë goditur në Berat.

Janë arrestuar I. H., 40 vjeç, banues në Perondi të Kuçovës; S. Ç, 64 vjeç, banues në Kapinovë, Poliçan, pasi gjatë kontrollit, policia ka gjetur fidanë të kannabisi të kultivuar në tokën në pronësi të tyre.

Për kultivim narkotikësh është vënë nën hetim I. M., 27 vjeç, banues në Dimal pasi iu gjet kanabis në makinë.

Berat

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në pranga 1 shtetas. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. H., 40 vjeç, banues në Perondi, Kuçovë, si dhe u procedua penalisht shtetasi I. M., 27 vjeç, banues në Dimal. Pas informacioneve të marra nga Policia se shtetasi I. M. posedonte lëndë narkotike në mjetin e tij, nga ana e Policisë u organizua puna për ndalimin e mjetit, në aksin rrugor Dimal-Berat. Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në mjetin e tij, gjetën një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Shtetasi I. M. dyshohej se lëndën narkotike e kishte blerë tek shtetasi I. H. Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve, ushtruan kontroll në lokalin e shtetasit I. H., ku gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Poliçan
Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet autori i dyshuar i tentativës për kultivim. Shërbimet e Policisë Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në fshatin Kapinovë, Poliçan. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan arrestuan në flagrancë shtetasin S. Ç, 64 vjeç, banues në Kapinovë, Poliçan, pasi gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur fidanë të dyshuar cannabis sativa të kultivuar në tokën në pronësi të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel