Ngjarja në Durrës. 29-vjeçarja mbërriti gjallë në spital, por ndërhyrjet mjekësore ishin të kota/ Dyshohet se ka pësuar…

06/07/2021 18:58

29-vjeçarja Ardita Hersi ka mbërritur gjallë në urgjencën spitalore të Durrësit, ndryshe nga ç’thuhet në njoftimin e policisë, po në gjendje tejet të rënduar dhe çdo ndërhyrje mjekësore ka qenë e kotë.

“Më datë 05.07.2021, rreth orës 20:00, jemi njoftuar se ka mbërritur pa shenja jete në spitalin rajonal Durrës shtetësja A. H., 29 vjeçe, banuese në Shkallnur.

Trupi i viktimës ndodhet në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes“. thuhet në njoftimin e policisë.

Në Spitalin Rajonal të Durrësit bëjnë me dije se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të deklarohen mbi rastin, ndërsa janë në pritje të rezultatit të ekspertizës mjeko-ligjore së cilës i është nënshtruar trupi i Ardita Hersit. Deri tani nuk janë ngritur akuza konkrete mbi rastin.

Paraprakisht, sipas burime spitalore, dyshohet se gruaja e re që në fund të muajit qershor ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, ka pësuar trombozë në mushkëri.

Gjithsesi në pritje të ekspertizës, policia e Durrësit ia ka kaluar materialet e kësaj çështjeje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme dhe hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes po vijojnë, ndërsa paraditen e së mërkurës A. Hersi do të përcillet për në banesën e fundit.

Top Channel