Me lëndë plasëse në shtëpi, gati për ta shitur, arrestohet 36-vjeçari në Lezhë

06/07/2021 18:51

Një 36-vjeçar është arrestuar sot në Lezhë, pasi iu gjet në banesë një sasi lënde plasëse.

Policia njofton se pas informacioneve të marra, ka kontrolluar shtëpinë e shtetasit me iniciale M.P. në Manati të Lezhës, aty ku ka gjetur lëndë plasëse, që më pas e ka sekuestruar si provë materiale.

36-vjeçari do të hetohet më tej nga Prokuroria e Lezhës.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje apo lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën dytësore në fshatin Manati, Lezhë, një shtetas mbante në banesën e tij, lëndë plasëse, gati për ta shitur, nga shërbimet e Policisë Lezhë u organizua puna dhe si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. P., 36 vjeç, banues në Manati, Lezhë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të dyshuar me lëndë plasëse.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Top Channel