Kampion i botës në fuqi, por i eleminuar në 1/8 e Europianit. Dy turnetë e fundit madhorë kanë qenë plot ulje -ngritje për Didier Deschamps. Në Rusi Franca prezantohej me një skuadër të re, por kompetitive, dhe pastaj edhe falë shpërthimit të Mbappe dhe një turneu të madh të Griezman fitoi.

Në Euro 2020 Les Bleus vinin si favoritët e mëdhenj, edhe pasi ishte kthyer Benzema dhe Deschamps kishte në dispozicion dy skuadra, të dyja të afta për të bërë shumë mirë, por në fund Zvicra theu magjinë. Çfarë do të ndodhë tani me trajnerin? A ka ardhur momenti për të mbyllur një cikël? Presidenti Federatës Noel Le Graet i lë të gjitha opsionet e hapura.

Eleminimi kishte bërë të mendohej për një lamtumirë të Deschamps, me Zidane si pasues të mundshëm, por gjithçka mbetet ende për t’u vendosur. “Do të mblidhemi javën që vjen , gjithmonë pres që të kalojnë 10 ditë nga fundi i kompeticionit. Do të takohemi në zyrën time në Guingamp, dhe do të kalojmë ditën bashkë”.

Do të jetë dita në të cilën Le Graet do të kërkojë të kuptojë synimet e trajnerit, por edhe do të thotë fjalën e tij për atë që e përcakton pa hezitim si dështim. “E gjithë bota duhet të mendojë si për atë që shkoi mirë, ashtu dhe për gjërat që shkuan keq. Do të flas me Deschamps, është një mik, dikush që ka qëndruar gjithmonë besnik. Ky është dështuimi i tij i parë, është një mik që nuk më ka zhgënjyer kurrë”.

Fjalë që gjenerojnë një lloj qetësie, por nuk është e thënë që nga ai takim të dalë sërish si trajner i Francës. ” Nuk mund të them tani nëse do të vazhdojë të jetë trajneri i kombëtares. Do të flas me të dhe do të përpiqemi të ndryshojë cfarë nuk funksionoi. Duhet të kujtojmë se vinim nga një grup shumë i vështirë. Vapa ishte një element i rëndësishëm dhe pavarësisht gjithckaje grupin e mbylëm të parët. Në ndeshjen e fundit gabuam 10 minuta dhe në fund kaluan ata dhe jo ne. Por nuk është rasti të kujtoj sërish atë që ndodhi”.

Por ndoshta Le Graet do t’ja kujtojë dicka të tillë Deschamps-it, dhe ndoshta mund të merren edhe vendime befasuese.

Top Channel