Turistë të përgjuar/ Ekspozita, një udhëtim në turizmin gjatë komunizmit 

05/07/2021 20:04

Pas Muzeut të Gjetheve, Durrësi është ndalesa e dytë e ekspozitës dhe dokumentarit “Peeping Tourists”, “Turistë të përgjuar”.

E çelur në ambientet e Galerisë së Arteve Figurative, ekspozita është një udhëtim në turizmin e përgjuar dhe historinë e Albturist, Entit Turistik Shqiptar, të krijuar në vitin 1956. Durrësi njihej si qendra turistike e vendit me hotelin simbol në atë kohë “Adriatikun” që ishte një mollë e ndaluar për vendasit. Nën idenë e pedagoges së turizmit Brunilda Liçaj, ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 6 korrik vjen e pasur me dokumente dhe objekte të kohës.

“Ishte një turizëm i përgjuar pasi një pjesë e turistëve që vinin ishin objekt i përgjimit pasi dyshohej se ata vinin në territorin shqiptar për të krijuar probleme për regjimin e kohës. Kemi krijuar dhe hartën e hoteleve që ishin në përgjim“, tha Brunilda Liçaj, ideatore e “Peeping Tourist”.

Dokumentari i shfaqur në sheshin kryesor të qytetit ka ngjallur mjaft kërshëri me dëshmitë dhe pamjet e kohës nga grupet e turistëve të huaj që vizitonin vendin dhe mënyra e organizimit të tureve të tyre, në mënyrë që të shmangej çdo kontakt i padëshirueshëm me vendasit dhe realitetin e shqiptarëve gjatë asaj periudhe.

Kjo nismë që vjen në 65-vjetorin e krijimit të ndërmarrjes shtetërore “Albtourist”, që kishte monopolin e industrisë së turizmit gjatë periudhës së diktaturës në vend, pret të kthehet në një markë që do të pasurohet më tej me elementë tërheqës duke u përfshirë dhe në guidat e sotme turistike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA