Shpërthimi Velipojë/ Nëna me tre fëmijët u plagos rëndë, ISHTI: Bombolat janë lënë të hapura, gabim njerëzor

05/07/2021 11:50

Mëngjesi i 4 korrikut shënoi një tjetër ngjarje tronditëse për banorët e Velipojës.

Një javë pas ngjarjes tronditëse ku humbën jetën 4 persona, një tjetër hotel u përfshi nga flakët si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit. Për pasojë mbetën të plagosur katër persona, nëna dhe tre fëmijët. Nëna ndodhet në gjendje paksa më të stabilizuar, ndërsa tre fëmijët kanë djegie të shkallës së tretë.

Inspektoriati Shtetëror Teknik lajmëron se bombolat e kampingut, e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerëzor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktorëve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore

Njoftimi i plotë i ISHTI:

Në zbatim të Ligjit 10 433 datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit 32/2016 “Për Garantimin e Sigurisë së Punës të Pajisjeve dhe Instalimeve Nën Presion”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Pulaj, rrugës hyrëse Sektor- Vilun, Velipojë, Shkodër, ju informojmë:

Më dt 04.07.2021 rreth orës 08.00 të mëngjesit është marrë informacioni se në Hotel “Enriko” me pronar Arben Gjoka me adresë në fshatin Pulaj, rruga hyrëse Sektor-Vilun, Velipojë, Shkodër ka pasur shpërthim dhe zjarr me pasoja dhe dëmtime të rënda të objektit si dhe familjarëve që kanë në pronësi objektin. Grupi i punës i përbërë nga inspektorët e sektorit Verior të Drejtorisë së Inspektimit të Enëve nën Presion pranë ISHTI është paraqitur në vendngjarje dhe kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në një objekt me 3 kate që ka shërbyer si hotel sezonal per periudhën e verës.

Shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit në pjesen jugore të tij në një ambient të mbyllur që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët. Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3 – 5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikueshme si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës.

Bombolat nuk kanë pësuar shpërthim dhe nuk kanë dëmtime në trupin e tyre por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës. Personeli PMNZSH Shkodër ka sqaruar se 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë nga ana e tyre. Gjithashtu në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, gjendet një rezervuar gazi me kapacitet 1000 Litra i cili është i mbyllur dhe bosh. Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.

Nisur nga kontrolli i objektit në fjalë dhe deklarimet e PMNZSH Shkodër, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerezor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.

Në prezencë të Inspektoreve të ISHTI është përgatitur nga ana PMNZSH Shkodër akti i konstatimit nga ky Institucion si dhe nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë së rrethit Shkodër është përgatitur Procesverbali i këqyrjes të vendit të ngjarjes.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel